REAGIM/ Përse gjeologjia shqiptare duhet të trajtohet si prioritet kombëtar dhe jo si agjensi shtetërore!

21 Gusht 2017, 18:10Ekonomia TEMA
REAGIM/ Përse gjeologjia shqiptare duhet të trajtohet si prioritet

Duke marrë shkas nga artikulli i botuar në gazetën Mapo dt.22.07.2017, nga profesorët e Universitetit Europian të Tiranës, zotërinjtë; Arbi Agalliu, Hemion Braho, Roland Lami, me titull: 10 Ministri/100 Institucione: Ja Projekti për Shtetin e Vogël”, po ju dërgojmë këtë reagim:

Ne vlerësojmë angazhimin tuaj për problemin që trajtoni për të dhënë kontribut me studimin e paraqitur dhe për të hapur debatin për reformën e administratës e të institucioneve, i cili ofron një model të përafërt sipas parimeve se si mund të organizohet administrata shqiptare me formulën “10 +1”, që konsiston në 10 Ministri plus Kryeministrinë dhe 100 Agjenci ekzekutive ose shërbime. 

Në këtë reagim ne do të shprehim mendimin tonë për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

Si pozicion Shërbimi Gjeologjik Shqiptar e ka vendin në atë që autorët e studimit e quajnë: ”Poli i parë që është; ekonomia publike, energjia, turizmi dhe zhvillimi ekonomik për të krijuar një ministri të madhe, Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe të Zhvillimit ku futeshin të gjithë këto sektorë. Ky pol propozon bashkimin e dy ministrive; Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë”.

Në studimin tuaj ju shpereheni për krijimin e Agjencisë Ekzekutive “Agjencia për Menaxhimin e Pasurive Gjeologjike” ku përfshihen institucionet: Shërbimi Gjeologjik Shqiptar edhe Sekretariati i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerëse (EITI).

Ne e konsiderojmë jo të drejtë këtë emërtim dhe këtë bashkim për këto arsyeje:

Së pari;

Në kuadrin e formimit të qeverisë së re dhe ristrukturimit të organeve qendrore është e arsyeshme të gjykohet edhe pozicioni i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i cili kështu është njohur që kur është krijuar më 22 Mars 1922, rithemeluar në vitin 1952 më VKM, riorganizuar më ligjin Nr. 8366, datë 02. 07. 1998, reformuar më ligjin Nr. 111/2015, datë 15. 10. 2015 “Për Sherbimin Gjeologjik Shqiptar”. Pra 95 vitet e aktivitetit të tij është njohur me këtë emërtim dhe jo si Agjenci për Menaxhimin e Pasurive Gjeologjike.

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar nuk është thjesht menaxhues i burimeve minerale, por është institucion këshillimor, teknik dhe shkëncor i shtetit, person juridik publik, buxhetor, i cili kryen veprimtari në fushën e shkëncave të tokës në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe funksionon sipas Ligjit Nr. 111/2015, “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”. Ligji i hartuar me konsulencën e profesoratit të kësaj fushe në vendin tonë dhe të Shërbimit Gjeologjik Europian.

Veprimtaria e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar përfshihen:

a)studimet gjeologjike sistematike bazë në tokë, në dete, në liqene dhe lumenj, në territorin e

Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet hartografimeve komplekse të shkallëve të ndryshme për

administrimin e territorit e të mineraleve;

b)studimet e thelluara shkëncore për gjeologjinë dhe metalogjeninë;

c)studimet gjeofizike e gjeokimike të çdo shkalle;

ç)studime dhe promovime të perspektivës së mineraleve të dobishme;

d)studimet hidrogjeologjike të baseneve ujore, monitorimi i tyre dhe përcaktimi i masave për

ruajtjen e rezervave ujore nëntokësore;

dh)studimet gjeologjike komplekse për mjedisin dhe monitorimin e tij, në funksion të planifikimit e të administrimit të territorit;

e)studime gjeologo-inxhinierike dhe rreziqet gjeologjike;

ë)studime agrogjeologjike dhe studime për erozionin;

f)studime, vlerësime dhe monitorime të gjeomonumenteve;

g)kërkime dhe vlerësime të mineraleve metalore, hidrokarbureve, mineraleve industriale, burimeve ujore nëntokësore, ujërave të pijshme e industriale, ujërave minerale e termale;

gj)vlerësimi, mbikëqyrja dhe monitorimi i lejeve minerare të kërkim-zbulimit;

h)matjet topo-gjeodezike;

i)krijimi i bazës së të dhënave gjeologjike, bilanceve të rezervave të mineraleve të dobishme,

rezervave të ujërave nëntokësore, rreziqeve gjeologjike dhe vënia në dispozicion e tyre organeve

të pushtetit qendror e vendor, subjekteve të tjera të interesuara, përgatitja dhe publikimi i informacionit.

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar sipas ligjeve në fuqi kryen detyra për mirëadministrimin e territorit, studime dhe monitorime të baseneve ujore, studime dhe monitorime për emergjenca civile si dhe në shërbim të kërkesave të subjekteve shtetërore dhe private që kanë të bëjnë me objektin e këtij shërbimi.

Pra si kudo edhe në vendin tonë ky institucion ka një emër, një histori dhe një problematikë që trajton edhe nuk mund të emërtohet ndryshe, nuk mund të bashkohet me institucione që nuk kanë të bëjnë me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

Së dyti:

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar që nga 1 Janari i vitit 2015 është pranuar anëtar më të drejta të plota në Shërbimin Gjeologjik Europian përkrah 36 vendeve Europiane me të njejtin emërtim “Shërbime Gjeologjike”ose “Institucion” apo “Byro”.

Këtë emertim kanë këto vende të cilat po i citojmë si më poshtë:

23.Holanda;                   ”Sherbim Gjeologjik”

24.Norvegjia;                 ”Sherbim Gjeologjik”

25.Polonia;                    “Sherbim Gjeologjik”

26.Portugalia;                “Sherbim Gjeologjik”

27.Rumania;                  “Sherbim Gjeologjik”

28.Federata Ruse;         ”Sherbim Gjeologjik”

29.Sërbia;                      “Sherbim Gjeologjik”

30.Sllovakia;                       ”Sherbim Gjeologjik”

31.Sllovenia;                        “Sherbim Gjeologjik”

32.Spanja;                            “Institucioni i Kërkimeve Gjeologo-Minerare”

33.Suedia;                            “Sherbim Gjeologjik”

34.Zvicra;                            “Institucioni për Gjeologjinë dhe Topografinë e Tokës”

35.Ukraina;                          “Sherbim Gjeologjik”

36.Mbretëria e Bashkuar;    “Sherbim Gjeologjik”

Siç shikohet në asnjë nga këto shtete nuk përdoret emërtimi “Agjenci për Menaxhimin e Pasurive Gjeologjike” (emërtim që për ne është pa kuptim).

Në vitin 2004, Shërbimi Gjeologjik Italian u shpërbë, duke u copëtuar në degë rajonale. Kjo e vuri Gjeoligjinë Italiane në një pozicion të veshtirë përpara Shërbimeve Gjeologjike Europiane. U arrit në përfundim nga qeveria Italiane se ky kishte qënë një veprim krejtësisht i gabuar dhe i pa studiuar. U korigjua me themelimin e APAT, i shëndërruar më vonë në Shërbimin Gjeologjik të Italisë ISPRA (Instituti Superior për Mbrojtjen dhe Kërkimin Ambiental).

Në vitin 1998, Republika e Maqedonisë shkriu strukturën e Shërbimit Gjeologjik. Kjo rezultoi një veprim i gabuar, pasi Shërbimi Gjeologjik i Republikës së Maqedonisë u rithemelua dy vjet më parë dhe po zgjerohet çdo ditë. Shërbimet Gjeologjike janë prezente dhe në kontinentet e tjera. Ato përveçse në territorin e vendeve të veta janë grupuar dhe në organizata bashkëpunuese si Shoqata e Shërbimeve Gjeologjike të Amerikës Latine, Shoqata e Shërbimeve Gjeologjike të Azisë, Shoqata e Shërbimeve Gjeologjike të Afrikës dhe Shoqata e Gjeologjisë Botërore.

Si Shërbime Gjeologjike mjaft potente në botë mund të përmenden, Shërbimi Gjeologjik Amerikan USGS (Unitet States Geological Survey), Shërbimi Gjeologjik i Kanadasë (që sapo mbushi 175 vjet ekzistencë), Shërbimi Gjeologjik i Britanisë BGS (British Geological Survey), Shërbimi Gjeologjik i Australisë. Ndër Shërbimet Gjeologjike që po marrin kuotat më të larta të financimit sot në botë janë dhe Shërbimi Gjeologjik i Japonisë dhe Shërbimi Gjeologjik i Koresë së Jugut.

Për sa më sipër emërtimi dhe funksionimi i institucionit të jetë siç ekziston sot, siç e kanë dhe vendet pjesëmarrëse në Shërbimi Gjeologjik Europian, Amerika etj.

“Shërbimi Gjeologjik Shqiptar” dhe jo “Agjencia për Menaxhimin e Pasurive Gjeologjike”.

Së treti:

Përsa i takon bashkimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar në një institucion me Sekretariatin e Nismës për Transparencë dhe Industri Nxjerëse (EITI) theksojmë se, EITI në Shqipëri rregullohet nëpërmjet Ligjit nr. 10304 “Për sektorin minerar në Shqipëri”, amenduar në Tetor 2014 dhe Ligjit Hidrokarbur nr. 7746, datë 28.7.1993, amenduar në Mars 2015 dhe Shkurt 2017.

Objekti i EITI është të zhvillojë dhe implementojë një mekanizëm për të bërë deklarimin e të ardhurave që vilen nga përdorimi i burimeve natyrore nëpërmjet industrive nxjerrëse, publikimin e këtyre të dhënave në një format të kuptueshëm nga të gjithë dhe mbikqyrjen e tyre në mënyrë që ti mundësojë publikut të gjerë të kenë informacion, për sa i përket të ardhurave si dhe shpenzimet publike duke kontribuar kështu në debat publik dhe krijimin e mekanizmave për miradministrimin e këtyre të ardhurave në dobi të komunitetit.

EITI si institucion ka një bord ndërkombëtar, i cili përbëhet nga tre grupe kryesore shoqëri civile, kompani të ndryshme dhe institucione shtetërore.

Standarti i EITI nënkupton vendosjen e transparencës së bisnesit në industrinë nxjerëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

EITI në këtë funksion monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin e nxjerjes, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në instucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin, nëpërmjet një raporti vjetor që bëhet publik për të gjithë.

Pra siç shikohet ky institucion nuk ka asgjë të përbashkët me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe nuk ka si të jënë në një institucion të përbashkët.

Si përfundim Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është unik sikurse Shërbimet Gjeologjike Europiane dhe Botërore, ai ka emrin, historinë, aktivitetin, objektivat dhe detyrat e tij për të tashmen dhe të ardhme, prandaj nuk mund të ndryshohet emri dhe nuk mund të bashkohet me instutcionet e tjera.

Duke ju falenderuar për kontributin dhe mirëkuptimin.

Nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar

Tiranë: 26.07.2017

 

6 komente në “REAGIM/ Përse gjeologjia shqiptare duhet të trajtohet si prioritet kombëtar dhe jo si agjensi shtetërore!”

  1. perkthyesi says:

    Sakte dhe qarte! Komplimente kolege te nderuar!

  2. capi dhia says:

    Ore ju te Sherbimit Gjeologjik Shqiptar, ku jetoni dhe si nuk pertoni e jo me edhe guxoni te ndesheni me mendimin e larte supershkencor te Tre Profesoreve Madheshtore te UETiranes.
    Ore trushkulur, pleqe te dhjere, komuniste te pakorigjueshem; ore pijanike, pijanece, pijetare … .
    Jeni lodhur kot.
    Vetem fakti qe jeni shqetsuar, qe jeni ulur dhe keni shkruar tregon se sa larg realitetit jeni.
    Po ju nuk e kuptoni se TRE profesoret kane punuar duke kopjuar, cfare ju keni shkruar 40-50 vite me pare. Sepse, ata nuk kane pervoje praktike ne punen ne terrenin natyror, laborator, fabrika. Jane injorante, por edhe servila te kualifikuar.
    Ore ju te SHGJSHqiptar: paskeni mbetur pijetare idealiste, dashnore te paepur te profesionit, te shkences, te nderit. Turp te keni.

  3. mirel says:

    E mire mire. Privatizim te pasurive ujore e tokesore. Ramuti doli me i papare nga Saliu.
    Vazhdoni votojeni qeverine e stilit te Ahmetes.

  4. Agim says:

    Shume i sakte reagimi i kolegeve te ShGjSh. Ka shume padije dhe mediokritet ne keto propozime qe paraqiten nga keto “ekspertet” lidhur me funksionet e ketyre institucioneve. Per me teper, po i shtoj argumebtave te SHGJSH qe Sekretariati EITI dhe funksionimi intij vijne si detyrim i antarsimit te Shqiperise ne organizmin nderkombetar EITI. Nuk reformon dot institucionet qe rrjedhin si detyrim ne angazhime nderkombetare. Eshte njesoj si te bashkosh Minustrine e Integrimit me Agjensine e Trajtimit te Prones ngase EU ka pare si problematike prioritare ceshtjet e prones ne Shqiperi.

  5. Don says:

    Sherbimi Gjeologjik Shqiptar jo vetem duhet ruajtur por edhe duhet forcuar duke rimekembur Institutin e Gjeologjise se Naftes dhe ate te Mineraleve Xeherore. Gjithashtu sherbimi gjeologjik te kete kompetenca per auditimin e projekteve te shfrytezimit dhe percaktimin e vijave te kuqe dhe kushteve te shfrytezimit minerar. Ne shqiperi pushtetaret injorante per te futur 5 leke ne xhep falin miliona dollare tek koncesionaret anonime sepse mungon kontrolli specializuar dhe transparenca e marreveshjeve. Marreveshjet koncesionare duhet detyrimisht te kene miratimin e Sherbimit Gjeologjik Shqiptar perpara se te miratohet ne parlament. Kush u ka dhene leje ca kompanive koncesionare qe nxjerrin qellimisht me shumice rere se nafte ? A ka kontroll shteteror per keto aktivitete te paligjshme dhe jo ne perputhje me kushtet teknike te shfrytezimit?

  6. vera e nxehte says:

    Te jape edhe une mendimin tim, ndoshta dhe medioker , per gjeologjine; çfare eshte bere deri me sot nga keta njerez, ku minierat jane ne meshire te fatit dhe administrohen si ai personi ne Duures qe nuk lejonte njerezit te hynin ne detse e paskej pronen e tij dhe duheshe te paguaje? Asgje , nje zero me xhufke. Minatore te vdekur, prodhim i gjithe i vjedhur prej 25 vjetesh, shfrytezim barbar i minerave, asnje para ne buxhetin e shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje