Deputeti demokrat i Tropojës: Do bashkëpunoj me Ramën

22 Gusht 2017, 11:33Politika TEMA

Isuf Çelaj ka lindur në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. Origjina e tij vjen nga trojet shqiptare matanë kufirit, në Vuthaj, të krahinës së Plavës dhe Gucisë, zonë kjo e njohur për patriotizmin ndër vite. Z.Çelaj tregon për “Gazeta Shqiptare” për dëbimin e familjes nga Mali i Zi, vendosjen në Malësinë e Gjakovës, burgosjen e të atit gjatë diktaturës komuniste, internimin në kampet e përqendrimit në jug të vendit, rikthimin në vendlindje dhe lidhjet e para me PD-në. Më 25 qershor është i mandatuari i banorëve të Tropojës drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ai flet për njohjet me Sali Berishën, ndikimin e tij gjithmonë te vota djathtas e tropojanëve, punën disavjeçare në të njëjtin institucion me Lulzim Bashën dhe se si nuk do të ngurrojë të ecë përkrah me kryeministrin socialist Edi Rama për hir të zgjidhjes së kërkesave që kanë banorët e Malësisë së Gjakovës.

Çelaj, çfarë ju shtyu që të bëheni pjesë e politikës, konkretisht PD-së?

Angazhimi im në politikë, dhe konkretisht te PD-ja, ka zanafillën e vet që me lindjen e pluralizmit në dhjetor ’90 e janar ’91 në qytetin e Bajram Currit. Në vazhdim kam mbështetur të djathtën, nisur edhe nga origjina e familjes sime, pasi bëjmë pjesë në familjet e persekutuara nga regjimi komunist, duke qenë pjesë e grupit për ngritjen e strukturave për themelimin e degës së PD-së për Tropojën. Sot i kujtoj me shumë respekt për punën e bërë dhe sakrificat e guximin e treguar në atë periudhë miqtë e mi, si kryetarin e parë të PD-së së rrethit, mësuesin tim të tetëvjeçares, z. Rasim Hasani, dhe intelektualët e tjerë si Hysen Osmanaj, Jakup Hoxha, Aleksandër Biberi, Sabah Jemishta, Halil Mala (Gjongecaj), Osman Islamaj, Hysni Hoxha, Rame Dunisha, Xhevdet Mehmeti, Ali Metaliaj, Sherif Hasandoci, Hasan Ponari, Muzli Dardha, Hasan Vatoci etj., ku për momentin nuk po më kujtohen emrat, pasi presionet e kërcënimet që na bëheshin nga elementet e partisë-shtet ishin të shumta.

Ju vini nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, por kush është në të vërtetë Isuf Çelaj?

Kam kryer arsimin e mesëm në Tropojë dhe Universitetin Bujqësor të Kamzës në Tiranë me rezultate të larta, ku në përfundim të studimeve, dekanati i fakultetit kërkoi të më mbanin asistent-pedagog, por për arsye biografie nuk arrita të qëndroja. Kam punuar katër vite në Kooperativën e Margegajve si mjek veteriner, pastaj në vitet ’92-’95 si asistent-pedagog në UB Kamëz. Më pas kam punuar në Ministrinë e Rendit deri në vitin ’98. Jam diplomuar si jurist në Universitetin Shtetëror të Tiranës pranë Fakultetit të Drejtë- sisë. Nga viti ’98 deri në shtator 2005 kam punuar në sektorin privat. Kurse nga viti 2005-tetor 2013 kam punuar në Ministrinë e Brendshme si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse e Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, detyra të cilat jam munduar t’i kryej me korrektësi dhe integritet moral në respekt të ligjit, por edhe të njerëzve, pa bërë asnjë dallim politik apo partiak, të majtë apo të djathtë. Siç ju thashë më sipër, lidhja ime me të djathtën është e kahershme. Familja ime është me origjinë nga Vuthaj, fshat në trojet etnike shqiptare të krahinës së Plavës e Gucisë e një nga trevat më patriotike shqiptare, ku edhe kanë dhanë jetën në luftë me forcat serbo-malazeze në mbrojtje të këtyre trojeve. Kemi qenë shtëpi e madhe e me emër në zonë (Shtë- pia e Çelës së Vuthajve) me prona (livadhe, kullota, pyje e bjeshkë) e me numër të madh tufash me bagëti (dele, lopë, kuaj), edhe andej kufirit në Vuthaj, edhe këtej kufirit, nga ana shqiptare, në pjesën e Ceremit në Vranicë e Markofcë. Pra, nisur nga kjo origjinë, lidhja ime me të djathtën ka qenë krejt e natyrshme, shtuar kësaj faktin se babai im, Zenel Çelaj ka qenë i internuar nga regjimi i kaluar në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet ’51-’53 dhe në burg, në hetuesi speciale për rreth dy vite, ku pastaj në vitin ’58 deri në vitin ’66 e gjithë familja ime është internuar për arsye politike në kampet e internimit të Lushnjës, si në Savër, Plug, Gradishtë e Çermë, ku edhe kam lindur.

Sa ka ndikuar emri i Sali Berishës ndër vite te vota djathtas e tropojanëve?

Ky ndikim ka qenë, është edhe do të jetë evident edhe në të ardhmen, pasi me emrin e z. Berisha, punën dhe veprën e tij lidhet historia e ndryshimeve epokale të Shqipërisë, me rrëzimin e një prej diktaturave më të egra në Europë, lindjen e pluralizmit e zhvillimin e demokracisë. Populli i Malë- sisë së Gjakovës ndihet krenar për të. Po ashtu Tropoja është vendlindja e Azem Hajdarit, heroit të demokracisë, udhëheqësit të Lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, ku me veprën e tij bëri të jemi krenarë, dhe kjo ka ndikimin e vet në votimin djathtas në vite të popullit të Tropojës.

Cilat janë njohjet tuaja me ish-liderin historik të PD-së Berisha?

Njohjet e mia me z. Berisha janë pas viteve ’91, nisur nga ato aq angazhime sa kam pasur në strukturat e PD-së si dhe në pozicionet e punës që kam kryer në Ministrinë e Brendshme, por jo se kam lidhje farefisnore me të apo lidhje të tjera. Z. Berisha mbetet për mua një lider i padiskutueshëm, politikani më punëtor dhe i guximshëm në Shqipëri, ku nën drejtimin e tij PD-ja bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në KE, anëtarë- simin në NATO, liberalizimin e vizave e lëvizjen e lirë të shqiptarëve në EU, ndërtimin e veprës më të madhe për të gjithë kombin, atë të autostradës që bashkon Kosovën me Shqipërinë, të ashtuquajturës Rruga e Kombit, si dhe ndërtimin e një infrastrukture rrugore moderne për të gjithë vendin etj.

Po me kreun aktual të PD-së, z. Lulzim Basha, cilat janë njohjet tuaja?

Me z. Basha jam njohur në vitin 2005, pas afrimit të tij te struktura e KOP-it dhe zgjedhja e tij deputet e ministër. Kam punuar me z. Basha kur ai ka drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kam qenë një ndër bashkëpunëtorët e tij të afërt, që gjatë asaj periudhe është bërë i mundur plotësimi i angazhimeve të MB në kuadrin e realizimit me sukses të procesit të liberalizimit të vizave, ku z. Basha ka kontributin e vet të pamohueshëm. Pastaj në vazhdimësi, raportet e mia me z. Basha kanë qenë e janë korrekte në marrëdhëniet si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe si Koordinator i ngarkuar në Degët 1 e 2 të PD-së në Tiranë, e sot si deputet i Tropojës.

Çfarë kërkoni konkretisht nga kryeministri Rama për zonën tuaj elektorale?

Meqenëse gjatë gjithë fushatës z. Rama kërkoi i vetëm timonin dhe e mori, ajo që kërkoj është që ta mbajë drejt atë, pasi ai është zgjedhur tani si kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe të jetë parimor e i drejtë në ndarjen e fondeve për investimet, edhe për Qarkun e Kukësit, për të tre rrethet, Kukës, Has e Tropojë, ku të mos diskriminohen nga mazhoranca me arsyen e vetme se nuk e kanë votuar këtë mazhorancë. Pasi, resurset natyrore në këto zona për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, bujqësisë e blegtorisë, industrisë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve etj., janë shumë të mëdha, por kërkojnë vëmendjen e qeverisë dhe të kryeministrit për t’i mbështetur me fonde e projekte zhvillimi që t’i shërbejnë përmirësimit të standardit jetësor të banorëve të këtyre zonave, duke ulur nivelin e varfërisë, por edhe emigrimin e pashpresë të të rinjve të këtyre zonave ku ka fshatra të tëra të braktisura. Së bashku me kryetarin e Bashkisë Tropojë, z. Besnik Dushaj, kemi diskutuar gjatë kësaj periudhe për përgatitjen e disa projekteve që janë prioritare edhe për komunitetin atje, të cilat do t’ia paraqesim kryeministrit Rama për miratim e financim, ku unë do të rendis: projektin e ndërtimit e asfaltimit të rrugës Qafë Prushi-Zogaj-Kam (kërkesë të cilën ia kishin paraqitur edhe në dëgjesë), Rrugën e Gegehysenit (Mulliri Dozhlanit-Selimaj-Lekurtaj). Realizimi i investimit në ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes e kabinave të energjisë elektrike për të gjithë rrethin. Investimi në ndërtimin e dy kanaleve vaditëse që ka Tropoja (Gashit-Begajve dhe atë të Krasniqes). Sistemin e kanalizimeve dhe të landfillit të mbledhjes e përpunimit të mbeturinave. Ndërhyrja në rikualifikimin urban të lagjeve të qytetit duke riparuar fasadat e pallateve dhe mbulimin me çati të tyre. Ndërtimin e një fabrike për grumbullimin e përpunimin e gështenjave dhe të frutave të tjera që prodhon Malësia e Gjakovës. Ndërtimin e një ose dy baxhove për grumbullimin e përpunimin e qumështit që prodhohet nga bagëtitë që mbarështojnë fermerët vendas. Mbështetje me grande e kredi të buta për të gjithë ata persona që duan të investojnë në fushën e turizmit, kryesisht për ngritjen e minibizneseve për hanet e bujtinat, aq të kërkuara nga turistët e huaj e ata vendas.

Për hir të realizimit të projekteve tuaja, a do t’ju shohim përkrah kryeministrit Rama në Tropojë?

Për këtë kam qenë shumë i qartë edhe gjatë fushatës, kur më kanë bërë pyetje të kësaj natyre. E them me shumë sinqeritet se nuk do të kem asnjë kompleks apo mosvlerësim për ta takuar kryeministrin që të diskutoj me të e t’i kërkoj miratimin e fondeve për çdo projekt që i shërben zhvillimit ekonomiko-social të popullsisë së Malësisë së Gjakovës. Unë e thashë edhe më sipër, se nuk e ndaj popullsinë e kësaj zone në të majtë e në të djathtë. Për mua janë njëlloj, dhe kërkoj që hallet e problematikat e tyre të trajtohen me seriozitet. Kështu që, paçim sa më shumë procese inaugurimi, fillimi dhe përfundimi punësh e projektesh për Malësinë e Gjakovës, dhe unë nuk do të mungoj në këto ceremoni krah kryeministrit Rama.

9 komente në “Deputeti demokrat i Tropojës: Do bashkëpunoj me Ramën”

  1. gezimi says:

    Po noj lidhje me biznesin mund te thote Isufi per Sali Berishen?
    Shtepine qe ka Sala di gje kush ja ka “Shitur”
    Kot vetem pyetje kisha.

  2. Lexuesi i TemmA says:

    Ta gezoje Tropoja deputetin e saj, zotin Isuf Cela. Djale me mend, i shkolluar e atdhetar. Se i ciles parti eshte, kjo ka “zero” randesi. Ma do mendja se do kete mbeshtetje te forte te kryeminstrit Edi Rama (qe ne shikimin tim, gjithashtu eshtë njeri pa komplekse të egzagjerura partiake).
    Me duket po vjen era e djemve te Shqiperise e jo ma vetem djemeve “të Partise”.
    Urime djali i Vuthajve e dhanderri i nje familje te nderuar (të Logeve) të Bujanit te Krasniqes.
    Faqebardhë.

  3. fieraku NGA ferrasi says:

    Bravo !
    Dere e madhe po’ e madhe ngelet.
    Per te miren e vendit njerezit bashkohen e dhe me hasmin .
    Me ramen te ishe njoft qe ne ’91.
    Atehere pati nje mendje te mire
    Po nuk e lane.

  4. Demi says:

    Kosovaret jane ne shtepine e vet ne plazhin e tyre…Erdhen apo iken eshte njesoj si edhe per shqipetaret e tjere, prandaj mos u mbani e mos i llogarisni. Sigurisht ata jane shpenzues si gjithe te tjeret por jane ne vendin e tyre dhe duan vine duan nuk vine, edhe tek ata luajne rol te ardhurat familjare, dhe jo vetem sherbimet ne shqiperi… Njepjese e tyre marrin apartamente me qera dhe jane self servis..
    A ka mundesi te jepet ndonje statistike se sa qytetare shqiptare frekuentuan plashet kete vit dhe per sa dite. Kete vit per shkak te renies drastike te ekonomise dhe per shkak te te ardhurave te pakta qe kane familjet shqipetare, numuri i tyre si konsumator dhe frekuentues i plazheve, ra. Nderkohe familjet me te ardhura te mesme dhe te larta vazhdojne te shpenzojne pushimet e tyre jashte Shqiperise.
    Duhet te kemi nje gje te qarte, nese duam te kemi turizem, numurin me te madh ne kete turizem duhet ta zene shqipetaret.

  5. lani says:

    Po si do ia besh bace padronit te PD-se e lamasheve te tjere ?Makari te veprosh drejt per hir te vendit dhe te banoreve te kukesit,te cilet i perkasin shqiperise dhe jo partive.

  6. tropojani c100 says:

    isuf cela nji hajdut doktorr macash pastaj ne zyren e pashaportave ka vjedh boll e me vone sekretar i ministris brendshme ka fut ne pune gjith njerezit e tij me 2 klase shkolle e ka bo policine ne kohen e tij komplet te pa afte koleg i astrit kulicit…nuk ka ma nevoj per koment efhe ky isufi genjen per lidhjet me berishen…gjith tenderat ne kohen e berishes i ka marr ky me bashkim ulaj dhe kete ndere ja kan shperblye berishes me apartamente luksoze dhe toka plus qe me paret e firmes bashkimit jane ble shum vota nga veriu ne jug,ky asht hajdut i madh ka punsu njerez per pare ish bir i nji spihuni te madh edhe ky dhander i ish nji sigurimsi ma te madh ne rethin e tropojes hafije te kqinj me plot kuptimin e fjales keshtu qe mos ja pafsh hajrin isuf se hajdut i keq je mos u shtir si i persekutum prej komunizmit dhe lidhjet ne berishen mos i moho

    1. LORA says:

      Ju besoj plotesisht,trpojani c100.
      Intervista e tij eshte corbe per handikapate,jo per njerez normale qe kane jetuar ne Shqiperi 27 vjetet e fundit.

  7. albaniafirst says:

    Me ne fund nje individ qe paska mend ne rradhet e PD-se. Edi Rama nuk eshte as serb dhe as grek ,por djale i Shqiperise qe vu ne krye te qeverise per te miren e vendit. Eshte detyra e cdo deputeti te coje ne qeveri zerin e popullit qe perfaqesojne.

  8. D. Didani says:

    Veterineret jane njerzit me te thjeshte,me korrekt,me popullor,me te hapur me shoqerine,me te zgjuar,me te ekulibruar se te gjithe specialistat e te gjitha fushave te shkences dhe socialogjise.Une jam i bindur ne ato qe thote Deputeti demokrat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje