Rama me gazetarët: Nuk besoj se Meta do të ketë rol bllokues

29 Gusht 2017, 09:54Kronika TEMA

Në një bashkëbisedim me gazetarët të zhvilluar mëngjesin e së martës në një kompleks të Llogarasë, kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen se qeveria e re nuk do të ketë probleme me dekretimin nga kreu i shtetit, pas kërcënimeve të këtij të fundit gjatë fushatës elektorale.

“Gjithëkush gabon, jemi njerëz jo robotë. Natyrisht që ka lloj lloj nivelesh të gabimeve që mund të kenë lloj lloj kostosh, por nga pikëpamja e mënyrës se si do të zhvillohet kjo marrëdhënie unë nuk shoh shqetësime. Nuk shoh një potencial aq autodestruktiv si ai që u shfaq në fushatë”, ka thënë Rama për Metën.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama ka mohuar që prishja e partneritetit me LSI të jetë bërë shkas për shkrirjen e disa ministrive.

“Nuk kemi shkrirë ministritë e drejtuara nga LSI, nuk ka lidhje kjo. Kemi shkrirë edhe atë të Financave me atë të Ekonomisë, që nuk drejtoheshin nga LSI”, ka thënë Rama.

Në vijim të përgjigjes ndaj interesit të mediave, Rama ka lënë të hapur opsionin e bashkëbisedimit me opozitën gjatë 4 viteve të ardhshme.

“Nuk besoj se do të jetë takim i përjavshëm (me Bashën), por do të ketë takime ndoshta një herë në dy apo tre muaj për diskutimin e çështjeve. Unë mendoj se kjo është tërësisht e mundur”, ka thënë Rama, referuar edhe marrëveshjes parazgjedhore me PD.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje