Ish-futbollisti shqiptar Igli Tare vazhdon të konfirmohet si një nga drejtorët sportivë më efikas në Serinë A. Ish-sulmuesi i njohur, numri 2 i skuadrës së Lacios ka finalizuar një tjetër transferim të suksesshëm që do t’i garantojë ekipit roman 30 milionë euro.
Polemikat që rrethuan sulmuesin Keita Balde sollën përjashtimin dhe gjobitjen e futbollistit me ngjyrë që kërkonte me ngulm Juventusin, por pa u gjetur më parë gjuha financiare mes dy klubeve. Në pak orë drejtori Sportiv i Lacios konsumoi një tratativë me Monako, duke arritur akordin për 30 milionë euro, plus bonuset në varësi të objektivave për ekipin e principatës.
Keita Balde refuzoi fillimisht ekipin e ligës franceze, por u bind nga paga e majme përballë mundësisë për të qëndruar në një klub ku as drejtuesit dhe as tifozët nuk e duan.
Në një takim në malet e Kortinës si në skenarin e një filmi, presidenti i Lacios, Igli Tare dhe superagjenti Zhorzh Mendez që kuron interesat e Monakos arritën marrëveshjen surprizë, shkruan “TCH”.
Sulmuesi senegalez bëhet përforcimi i dytë i Monako, pas firmës së malazezit Jovetic që u ble nga Interi.