STATISTIKAT/ Mallrat e “Made in Albania” po bëhen më të shtrenjta, çmimet e prodhimit u rriten me 1.6 % në tremujorin e dytë

5 Shtator 2017, 13:37Ekonomia TEMA

Rritja e kostove të prodhimit kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese, kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit.

INSTAT njoftoi sot se, indeksi i çmimeve të prodhimit shënoi një rritje vjetore me 1,6 %, në krahasim dhe u ul me 0,9 %, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017.

Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “ industri nxjerrëse” me 8,2 %.  Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 12,0 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,2 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 5,3 %, prodhimi i produkteve kimike me 5,1 %, konfeksionimi i veshjeve me 0,6 %.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 1,9 %.

Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,9 %. Çmimet e Prodhimit në seksionin ”industri nxjerrëse” shënuan ulje me 4,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 6,5 %.

Çmimet e prodhimit në seksionin “industria përpunuese” kanë shënuar ulje me 0,3 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Brenda kësaj industrie vihet re ulje e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: konfeksionimi i veshjeve me 0,4 %, prodhimi i produkteve ushqimore me 0,1 %, prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara me 1,4%.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 101,2 kundrejt vitit 2010, duke shënuar një ulje me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet; “industri nxjerrëse” me 3,4 % dhe “industri përpunuese” me 0,3 %.

indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 104,6 % duke shënuar ulje me 1,4 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” dhe “industri përpunuese” kanë shënuar ulje përkatësisht me 5,4% dhe 0,3%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje