A jemi të përgatitur nëse falimenton "mëma" e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri?

7 Shtator 2017, 17:42Ekonomia TEMA
A jemi të përgatitur nëse falimenton "mëma" e

 

 

Falimentimi i një banke normalisht është një moment i keq për këdo që ka një llogari bankare por akoma më keq për depozituesit e parave në banka. Dhe kjo akoma më tragjike në Shqipëri ku ende i kemi të freskëta rrënimin e firmave piramidale të cilat sollën jo pak pasoja, si me jetë njerëzish ashtu edhe me kursimet e shqiptarëve.

 

Por përpos ndodhive të së shkuarës në vitin e largët dhe famëkeq të 1997, sistemi bankar shqiptar nuk ka patur gjatë gjithë këtyre viteve rreziqe të tilla. Periudhë kjo që përkoi me një “boom” licensash për bankat e nivelit të dytë, të cilat operojnë në Shqipëri si filiale të disa bankave të njohura në tregun bankar, kryesisht atij europian.

 

Megjithatë rreziku që paraqitën disa banka në Shqipëri, kryesisht ato greke gjatë periudhës së rënies ekonomike në Greqi, një fenomen i cili fatkeqësisht ende vazhdon të paraqesë risk të lartë, për të gjithë sistemin monetar ndërkombëtar. Kjo edhe falë prezencës së lartë të disa bankave kryesore greke në tregjet dhe ekonomitë europiane, kryesisht në vendet e Europës Lindore, vende të cilat sot janë pjesë e Bashkimit Europian.

 

E njëjta situatë është prezente edhe në Shqipëri, ku prezenca e tre bankave pothuajse më të mëdhatë në Greqi, është mjaft evidente. Por sistemi bankar shqiptar, falë edhe financave të shëndosha për sa i përket kursimeve të personave individë apo ndryshe familjarë, krijon mundësi besimi për një ecuri të mbarë të bankave të nivelit të dytë, qofshin ato të çdo lloj “mëmësie”. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rola mjaft të kujdesshëm për sa i përket monitorimit të aktivitetit bankar që këto banka ushtrojnë në Shqipëri, duke u ofruar shërbime bankare publikut të gjerë shqiptar në çdo qytet të vendit.

 

Por ç’ndodh nëse falimenton “mëma” e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri. Pra thënë më qartë kur Grupi Bankar prej edhe nga ka prejardhjen apo me saktë përkatësinë një bankë prezente në Shqipëri. Këtu roli i Bankës së Shqipërisë duhet të jetë më efikas, pasi publiku i gjerë shqiptar që ka investuar paratë e tij në këto banka duhet të jetë sa më i qetë dhe larg dozave të rrezikshme që sjellë paniku i klientëve të një banke. Ata të cilët kanë rrëzuar “perandori” bankare, ndryshe emra të mëdhenjë të sistemit bankar botëror dhe kjo me tërheqjet e përditshme të tyre nga bankomatet, por edhe nga rradhët e gjata pranë sporteleve të bankave. Dukuri këto që shpresojmë mos t’i shohim të ndodhin në Shqipëri, sepse do të ishte vërtet fatale për ekonominë shqiptare që premisa ngritje në çdo kohë.

 

Procedurat e kalimit të aksioneve nga një bankë në tjetrën në rast blerje duhet të jenë më të shpejta duke mos shënuar aspak elementë zvarritje, me shkresa pa fund nga një institucion në tjetrin. Për t’i hapur rrugë kështu operacioneve të kalimit të aksioneve në mënyrë të menjëhershme. Kështu edhe klientët e bankave ndihen më të sigurtë por edhe i jepet fund spekulimeve në tregun mediatik me lajme të stisura gazetareske kryesisht bombastike duke abuzuar frikshëm me inteligjencën e mjedisit shqiptar. Pikërisht për të mos patur raste të ngjashme me vitin e largët 1997 ku shumë media, kryesisht online, duhet thënë se janë më shumë të interesuara për të ngjallur doza paniku se sa te merren me problemin apo zgjidhjen e tij.

 

Zvarritja e procedurave për kalimin e aksioneve nga një bankë në tjetrën, është një proces që u intereson pa fund edhe Menaxherëve të Bankave në Shqipëri. Të mirëpaguar nga Bordet Drejtuese të Bankave të Nivelit të Dytë, kryesisht shtetas të huaj, ata janë kryesisht të interesuarit e vërtetë të zvarritjes së procedurave të tilla burokratike. Mos mendoni se ju bëhet shumë vonë se janë qytetarët shqiptarë që rrezikohen nga ecuria e keqe e një banke të nivelit të dytë? Ata siç edhe erdhën nga një vend i huaj ashtu edhe largohen në momentin më të parë, sepse pasojat i vuan stafi i një banke që mbetet peng i ecurisë së bankës por edhe më së shumti klientët e saj.

 

Pra Banka e Shqipërisë, Qeveria Shqiptare duhet të jenë më të kujdesshme me institucionet që administrojnë paratë e publikut shqiptar, duke mos zvarritur në asnjë moment procedura të tilla që në vende të ndryshme, si ato fqinje me Shqipërinë, të cilat edhe pse kanë një historik shekullor me bankat, i kryejnë këto procedura në një kohë rekord duke eleminuar kështu panikun tek klientët e sistemit bankar. Rasti i para disa muajve në Itali ku disa banka u shkrinë brenda një dite në një bankë të madhe, dhe që në Shqipëri ky operacion ende nuk po përfundon duke u bërë edhe burim spekullimi në disa media online, është një këmbanë alarmi jo vetëm për Bankën e Shqipërisë por edhe për Qeverinë Shqiptare.

 

Si ka mundësi që në Itali shkrirja e një banke të vogël në dimension bankar me një më të madhe, është një procedurë që zgjat një ditë ndërkohë në Shqipëri zgjat me muaj? Kaq shumë ta kemi luksin vallë që të luajmë me ndjesinë e shqiptarëve që kanë për paratë e tyre?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje