Berisha homazhe për Azem Hajdarin: Burim frymëzimi, i vuri gjoksin autoblindave

12 Shtator 2017, 11:26Politika TEMA

Sali Berisha ka kryer homazhe pranë memorialit të Azem Hajdarit ku ka përcjellë edhe një mesazh për demokratët.

Berisha tha se Hajdari ka bërë shumë për lirinë e shqiptarëve ku u shpreh se i ndjeri është burim frymëzimi për çdo shqiptar.

Më tej, ish-kryeministri theksoi se është e nevojshme më shumë se kurrë që të jetësohen idealet e Azem Hajdarit për një shoqëri demokratike.

“Sot për ne është një ditë ku kujtojmë me dhimbje të madhe aktin barbar të kryer nga regjimi, ku humbi jetën tribuni i lirisë. Ai si individ ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij që iu vu përballë autoblindave të batalioneve të policisë e ushtrisë rrugëve të Tiranës, dhe bashkë me studentët e tjerë solli çeljen e dyerve të lirisë për shqiptarët. Por Azem Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë. Ai është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri.

Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtur, të ngrihemi dhe të vazhdojmë betejën. Dhe sot më të vendosur se kurrë për idealet për të cilat ai flijoi jetën e tij,. Ndaj edhe njëherë thirrja ime është të jetësojmë idealet për ët cilat ai ra, dhe sot janë në një vështirësi shumë të madhe. Unë kam besim se ne do t’ia dalim. I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit, tribunit të lirisë së shqiptarëve, dhe sivllaut të tij në këtë betejë, Besim Çelës”, u shpreh Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje