Grupi parlamentar i PS-së kanë nënshkruar një marrëveshje, që ka të bëjë me bashkëqeverisjen me qytetarët dhe ndarjen e përgjegjësive.
Qëllimi i marrëveshjes
Kjo marrëveshje synon garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.
Kjo marrëveshje dakordëson fushat dhe instrumentat që sigurojnë bashkëveprimin e palëve, në funksion të cilësisë së komunikimit të brendshëm e me publikun; të kohezionit të vendimmarrjes dhe jetësimit të objektivave e të vendimeve; të trajtimit në kohë e me cilësi të ankesave e të kërkesave të njerëzve të zakonshëm në çdo komunitet.
Kjo marrëveshje përbën një pikë të palëvizshme referimi për Grupin Parlamentar Socialist e për çdo deputet, për kabinetin qeveritar e për çdo ministër, për Sekretariatin e Partisë Socialiste e për nivelet drejtuese qendrore e vendore të saj, në funksion të jetësimit të Bashkëqeverisjes me Njerëzit e Zakonshëm.
Ndërveprimi mes palëve
Palët në këtë marrëveshje marrin përsipër të respektojnë rregullat e bashkëpunimit të përcaktuara në brendinë e saj:
· të garantojnë reciprocitet të plotë në respektimin e roleve mes tyre dhe shfrytëzimin e instrumentave të parashikuara;
· të mbështesin reciprokisht njëra-tjetrën për jetësimin në kohë e me cilësi të vendimeve
· të ndërtojnë e fuqizojnë në vazhdimësi koalicionin e madh të Partisë Socialiste me qytetarët “Për Shqipërinë që Duam”.
Angazhimet e palëve
Palët angazhohen që:
1) Të bashkëpunojnë pa ndërprerje për të rritur cilësinë e procesit demokratik dhe bashkëjetesës politike, në Kuvendin e Shqipërisë e jashtë tij;
2) Për të zgjeruar bazën e shumicës qeverisëse në komunikim e bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët në çdo komunitet;
3) Për të ruajtur dhe forcuar më tej lidhjen me elektoratin dhe anëtarësinë socialiste;
4) Për t´iu përgjigjur në kohë e me cilësi shqetësimeve, kërkesave e ankesave të njerëzve dhe familjeve të zakonshme;
5) Për të vendosur përpara përgjegjësisë në kohë reale çdo zyrtar që identifikohet në shkelje të së drejtës së qytetarit për të marrë një shërbim, apo rezulton në shkelje të etikës në shërbim të publikut;
6) Për të dekurajuar çdo formë nepotizmi e klientelizmi partiak në emërime dhe për të reaguar vendosmërisht ndaj çdo rasti, kur konstatohen këto fenomene;
7) Për të ruajtur e forcuar kohezionin e brendshëm, duke fuqizuar debatin e brendshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke konsoliduar parimin e qëndrimit të unifikuar;
8) Për të kontribuar në nivel kolektiv e indivual, në ushqimin e një klime besimi, respekti e mirëkuptimi reciprok; Të mbështesin nismat ligjore dhe reformat e qeverisë;
9) Për t’iu përgjigjur me përkushtim njerëzor, seriozitet profesional dhe integritet politik, në nivel kolektiv e individual, detyrimeve të kësaj marrëveshjeje.
Fusha e bashkëveprimit
a) Zhvillimi i debatit politik e parlamentar, duke e orientuar axhendën politike në çështje me interes publik dhe duke u angazhuar në mënyrë konstruktive, etike e të hapur me opozitën parlamentare;
b) Garantimi i komunikimit të vazhdueshëm mes palëve dhe unifikimi konstant i qëndrimit dhe mesazhit publik të forcës sonë politike;
c) Organizimi i përbashkët dhe koordinimi mes palëve për realizimin e dëgjesave dhe konsultimeve publike;
d) Zhvillimi i diskutimeve paraprake në kuadër të përgatitjes së projektligjeve dhe projektbuxhetit të shtetit;
e) Dakordësimi paraprak me çdo ministër a ministre për aktet legjislative dhe sigurim i pranisë së anëtarëve të kabinetit sa herë që thirren nga komisioni përkatës parlamentar;
f) Organizimi i seancave të përbashkëta përgatitore mbi strategjinë e mbrojtjes së qëndrimeve në komisionet parlamentare, si edhe mbi strategjinë e komunikimit e të veprimit në seancat parlamentare;
g) Diskutime paraprake mbi nismat e reja ligjore dhe ndërmarrja e nismave të përbashkëta ligjore apo qytetare, si dhe trajtimi i çështjeve me rëndësi që rezultojnë nga platformat e takimet e përcaktuara në këtë marrëveshjeje apo nga dëgjesat e konsultimet publike;
h) Garantimi i transparencës dhe aksesit të plotë të qytetarëve që kërkojnë informacion nga shteti.
Platformat e përbashkëta të kësaj marrëveshjeje
1) Koordinatorët e marrëveshjes dhe Sekretariati i Përbashkët
Koordinatorët e marrëveshjes (këtu e në vijim referuar si “koordinatorët”) koordinojnë dhe monitorojnë zbatimin e marrëveshjes. Ata ndjekin ecurinë e procesit të dakordësuar në bazë të marrëveshjes dhe u bëjnë me dije palëve, në mbledhjet e përbashkëta, problemet që dalin gjatë procesit.
Secila nga palët ka një koordinator:
– Nga Grupi Parlamentar është kryetari i grupit;
– Nga ministrat është zv. Kryeministri;
– Nga Partia Socialiste është Sekretari i Përgjithshëm.
Koordinatorët formojnë Grupin Këshillimor.
Ky grup këshillon takimet e kryetarëve mbi probleme apo pengesa të hasura gjatë punës, si dhe ndjek e siguron zgjidhjen e çështjeve që ngrihen gjatë takimeve.
Koordinatorët i paraqesin takimit të Kryetarëve dhe Grupit Parlamentar, si këshill apo individualisht, opinione dhe propozime në lidhje me:
a. Ecurinë e marrëveshjes në tërësi;
b. Çështjet që konstatohen të rëndësishme për diskutim mes palëve ose pozicionim të tyre, nisur nga takimet sektoriale dhe ato mbi bazë qarku, pra me fokus konkret në një fushë ose territor të caktuar;
c. Gjetjet kryesore nga raporti vjetor i kërkesave/ankesave nga deputetët, anëtarësia e partisë dhe qytetarët, si dhe nga raporti periodik i dëgjesave publike periodike sipas qarqeve, apo raporti i veprimtarisë së zhvilluar sipas kësaj marrëveshjeje;
d. Çështje të cilat vlerësohen të rëndësishme nga Komisioni i Etikës, si më poshtë.
Koordinatorët takohen të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë që është e nevojshme.
Në bashkëpunim me palët, koordinatorët kryejnë takime paraprake përgatitore. Ata bëjnë matje të herëpashershme të nivelit të funksionimit të marrëdhënieve mes palëve; përcaktojnë rendin e ditës së diskutimit periodik mbi ecurinë e marrëveshjes; diskutojnë e bëjnë sugjerime mbi takimet e kryetarëve, takimet sektoriale, ato mbi bazë qarku, si dhe ato në grupin parlamentar.
Demagogji e gjalle .. dhe turp per ne qe i degjojme dhe i durojme.
Nese doni vertet bashkeqeverisje, hapni ne fillim zyrat e shtetit qe publiku te kete akses deri tek nivelet me te larta per te kerkuar te drejtat e tij. Kjo nuk mund te behet me sportele robotesh ne koridoret e institucioneve. Qytetari duhet te lejohet te hyje deri tek zyrat e funksionareve me te larte te pushtetit lokal por edhe qendror. Ne Europe nuk te ndalon njeri per tu futur ne zyrat e Policise, Bashkise, Prefektures, Tatimeve, Prokurorise, Gjykates, etj.