Kulla Eiffel shuan dritat në respekt të viktimave të Las Vegas-it dhe Marsejës

3 Tetor 2017, 02:01Sociale TEMA

Në shenjë respekti ndaj viktimave të sulmit tragjik në Las Vegas, SHBA, por edhe ndaj vrasjes së dy të rejave në Marsejë, dritat e kullës Eiffel në Paris janë shuar mbrëmjen e të hënës.

Sulmi që ndodhi gjatë një koncerti të muzikës Country në Las Vegas, kur një person qëlloi me armë nga dritarja e dhomës së hotelit mbi spektatorët e pranishëm, la të vdekur 59 persona. Ai cilësohet si edhe si sulmi më i rëndë dhe me më tepër viktima në SHBA, pas atij të 11 Shtatorit.

Atentatori i identifikuar si Stephen Paddock, 64-vjeç është vrarë nga policia në momentin kur ata shpërthyen derën e dhomës së tij të hotelit.

Paddock ishte një ish-llogaritar i dalë në pension, i cili, sipas të vëllait, shkonte shpesh me pushime në Las Vegas, ku mund të shpenzonte edhe $100 në një lojë të vetme pokeri.

Sipas autoriteteve, ai nuk kishte shfaqur kurrë sjellje të dhunshme, por është djali i një grabitësi të njohur bankash. Benjamin Hoskins Paddock, babai i atentatorit, gjendej në listën e më të kërkuarve të FBI-së nga Qershori i vitit 1969, gjer në Maj të vitit 1977.

Ndërkaq, një tjetër sulm ka ndodhur në të njëjtën ditë, në Marsejë, Francë, ku një person ka vrarë me thikë dy vajza të reja në rrugë.

Agresori ishte një i ri tunizian, i cili bërtiti Allahu Akbar përpara se të kryente sulmin. Ai ishte arrestuar dhe liruar sërish të premten, pasi u kap duke grabitur një dyqan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje