Trajneri i Italisë, Ventura pas ndeshjes u shpreh i kënaqur nga rezultati, ndërkohë që vlerësoi kuqezinjtë e Panuccit.
“Ishin 3 pikë të rëndësishme, sepse tashmë do na lejojnë që të jemi kokë grupi në shortin e Playoffit. Në grupin tonë, Spanja është më lart nesh. Sot luajtëm mirë, por i lejuam Shqipërisë që të bënte disa gjuajtje. Nuk kemi bërë një ndeshje të jashtëzakonshme, por morëm atë që lam në ndeshjen e kaluar.
Italia është një skuadër që 1 vit më parë vendosëm që të bënim ndryshime në gjeneratë. Janë shumë lojtarë të rinj që nuk luajnë në ekipet e tyre, por duhet të kemi durim. Sepse të rinjtë nuk janë ata që futen dhe krijojnë diferencë. Nëse do të krijojmë një ekip të mirë në të ardhmen, duhet ta kalojmë këtë hap.
Si e patë Shqipërinë sot? Dje para ndeshjes thash që shpresoj që të jetë një festë. Stadiumi u mbush plotë. Shqipëria ka bërë shumë mirë pasi për 70 minuta kanë vrapuar shumë. Shpresoj që Panucci të bëjë të njëjtën rrugëtim si De Biasi.
Në “playoff” nuk kam frikë asnjë skuadër. Në Botëror dua ta kem përballë Spanjën, dhe nuk do të jetë aspak problem”, u shpreh Ventura pas ndeshjes.