Ra në sy gjatë miqësores, Partizani kërkon sulmuesin brazilian të Pelisterit

10 Tetor 2017, 14:51Sport TEMA

Partizani afroi 15 lojtarë në merkaton e verës, por tashmë është konfirmuar se klubi ka dështuar me këto afrime, pasi pjesa dërrmuese e tyre nuk e justifikojnë mbajtjen veshur të fanellës së kuqe. Është folur se në janar Partizani do t’i nënshtrohet një revolucioni të ri, ku priten spastrime të mëdha nga radhët e skuadrës aktuale.

Mësohet se drejtuesit e kanë nisur që tani punën për piketimin e lojtarëve të nevojshëm për skuadrën në merkaton e dimrit. Miqësorja e së shtunës me Pelisterin u ka shërbyer drejtuesve të kuq jo vetëm për të parë gjendjen e skuadrës së tyre përpara ndeshjes me Teutën, por edhe për të piketuar ndonjë lojtar si afrim të mundshëm.

Në përfundim, testi me fituesit e Kupës së Maqedonisë ia ka vlejtur, jo vetëm për faktin se Partizani gjeti fitoren, por edhe një alternativë për merkaton e janarit. Sulmuesi i krahut të majtë të Pelisterit, Lukas Kardoso Ferreira, i ka bërë për vete drejtuesit e kuq dhe menjëherë pëlqimin e tyre për brazilianin ua kanë shprehur edhe drejtuesve të klubit maqedonas.

Menjëherë pas ndeshjes të kuqtë kanë shprehur dëshirën e tyre te drejtuesit e Pelisterit që ta bëjnë të tyre sulmuesin brazilian që në merkaton e janarit. Për momentin, bisedimet konsiderohen të hapura dhe, në javët në vijim, pritet të ketë zhvillime më konkrete për një afrim të mundshëm të Lukasit te Partizani.

Ndonëse bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, sulmuesi u tregua impulsiv në krahun e majtë duke e vendosur shpesh në vështirësi Partizanin jo vetëm me veprimet e tij, por edhe me kombinimet me shokët e ekipit. Lukas Kardoso Ferreira ka sezonin e dytë me Pelisterin, ku në edicionin e fundit në 29 ndeshje në kampionat shënoi 11 gola dhe, në fund, fitoi edhe Kupën e Maqedonisë me skuadrën nga Bitola.

Në këtë sezon, Lukas ka shënuar një gol në 6 ndeshje të luajtura në kampionatin maqedonas. Gjatë merkatos së verës, të kuqtë afruan Kristian Adorjan dhe Enrik Herrerën si përforcime për krahun e majtë të sulmit, por deri tani asnjëri prej tyre nuk ka bindur, kështu që drejtuesit kanë piketuar brazilianin e Pelisterit për në janar. Nëse arrihet akordi, i bie që njëri nga të lartpërmendurit të hapë krahun në janar duke bërë vend për Lukas Kardoso Ferreira./PanoramaSport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje