Lorik Cana i dha fund futbollit të luajtur me ceremoninë e organizuar nga FSHF para sfidës Shqipëri-Itali. Por ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare ka dashur që përveç tifozëve shqiptarë që i falënderoi publikisht, të bënte të njëjtën gjë edhe me klubet në të cilat ka luajtur gjatë karrierës së tij.
Këtë falënderim ai e ka bërë nëpërmjet Instagramit, duke postuar me radhë mesazhe për PSG-në, Olimpikun e Marsejës, Sandërlendin, Gallatasarajin, Lacion dhe Nantën.
Një nga klubet ku Loriku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij, Lacio, i është përgjigjur po nëpërmjet rrjeteve sociale me një falënderim për ish-kapitenin e përfaqësueses shqiptare.
“Faleminderit Lorik Cana, ishte nder për ne të të kishim pjesë tonën! Urojmë që e ardhmja të të dhurojë kënaqësi të mëdha”, shkruhej në profilin e Instagramit të klubit italian.