Më në fund ka gëzim te Partizani. Një start jo dhe aq pozitiv i kampionatit të kuqve nuk i ndodhte prej kohësh.
Pas katër javësh mes ujrave të trazuar dhe presionit nga ana e tifozerisë për shkak të rezultateve të dobta, ekipi gjen forcat për të fituar në transfertë përballë Teutës, skuadrës që për këtë sezon ka ambicie të mëdha. 90 minuta delikate ku nuk munguan as kartonat e kuq dhe as rastet për moviol. Në pesë javë kampionat, Partizani regjistron 2 humbje, dy barazime dhe një fitore.
Një bilanc jo dhe aq pozitiv për një skuadër që pretendon titullin kampion, por sidoqoftë është vetëm fillimi i një rruge të gjatë me pengesa dhe të kuqtë kanë nisur një cikël të ri, duke filluar që nga ndërtimi i stadiumit, e deri tek reforma rrënjësore që pësoi organika e klubit, nga stafi drejtues, trajneri dhe një pjesë e mirë e lojtarve. Vetë sulmuesi i 15-herë kampionëve të shqipërisë, Xhevahir Sukaj deklaroi se elementëve të rinj në skuadër u duhet kohë për tu ambjentuar.
Arsyetim i drejtë që nuk justifikon askënd që deri më tani ka dhënë shumë pak në krahasim me pritshmëritë. U ndodh dhe klubeve më në zë të europës ose dhe futbollistëve më cilësorë që në momentin kur ndërrojnë ambjent kanë nevojë për kohë që të përshtaten me lojën e skuadrës apo dhe kampionatin ku luajnë.
Fitorja ndaj Teutës është një ogur i mirë për klubin, ku sigurisht do të kërkohet të ruhet vazhdimsia dhe të rikthehen sa më shpejt në garën për titull kampion që përkon dhe me objektivin kryesor të Partizanit./SS/