Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një takim me gazetarët ka bërë një analizë të eliminatoreve të “Rusi 2018”, që u mbyllën me ndeshjen me Italinë. Ai e konsideron pozitive ecurinë e Kombëtares, pavarësisht rezultateve të fundit. Mes të tjerash, kreu i FSHF-së tha:
Ndeshja me Italinë mbylli fazën eliminatore për “Rusi 2018”. Menduam të bëjmë një bilanc apo bashkëbisedim për ecurinë e Kombëtares.
Ndeshjet e fundit mund të mbylleshin më mirë me rezultate, por ishte një paraqitje e mirë. Vlerësimin e japin më mirë ata që na shohin, tifozët dhe specialistët, por e konsideroj një edicion pozitiv, por që ka problemet e veta. Kemi zënë vendin më të mirë në histori, vendin e tretë. Kemi pasur dy kundërshtarë shumë të forte në grup, Spanja dhe Italia. Shumë e vështirë t’i kalosh ata. Një renditje pozitive.
Pengjet? Ndeshjet me me Izraelin në shtëpi dhe e fundit me Italinë, ku mund të merrnim një pikë. Kemi ndryshuar stafin, jo për rezultate të dobëta. Kemi ndryshuar stafin për të përgatitur ekipin për eleminatoret e tjera, duke parë se dolëm nga pretendimet. Puna e stafit është pozitive dhe i falënderoj të dy stafet.
Gjatë këtij edicioni na ka shkuar shkeq vetëm momenti i euforisë dhe vetkënaqësisë pas Francës. Ndoshta është ulur niveli i impenjimit. Na ka shoqëruar deri në ndeshjen me Izraelin.
Tashmë do të përgatitemi për edicionin e ardhshëm. Duam “Euro 2020”, që arrihet nga eliminatoret apo nga “National League”. I kemi mundësitë reale për të qenë pjesë e Europianit.
Objektivi ynë është Grupi B dhe të mos jemi në Grupin C. I kemi mundësitë reale të jemi në mënyrë permanente në Europian, pse jo dhe në Botëror. Ndeshjet e fundit kanë vërtetuar se Shqiperia është një ekip i fortë dhe kompetitiv.
Nuk ka trajnerë, që nuk janë pragmatistë. E rëndësishme është strategjia që çdo trajner ka për të arritur rezultatin. Ne na pëlqen të shohim lojë të bukur, por loja e bukur ka memorie të shkurtër. Rezultati ka memorie më të gjatë. Meritojmë më shumë se Grupi C. Futbolli ofensiv nuk të çon në disfatë.
Kampionati shqiptar ka talente, të cilët ikin jashtë dhe vijnë në Kombëtare. Në një vend si Shqipëria nuk mendoj se baza e ekipit kombëtar do të jenë lojtarë nga kampionati shqiptar. Lilaj dhe ndonjë tjetër mund të jenë afër. Ka raste, kur futbollistë të nivelit të lartë nuk aktivizohen, sepse konkurrenti i tij është më i lartë. Në ndeshjet miqësore besoj se trajneri do të provojë shumë lojtarë.
NJE ANALIZE TEPER E SAKTE. E SHKURTER POR E MENCUR,E PLOTE, AMBICIOZE,MODESTE,KONKRETE DHE LARGPAMESE.