A do të kthehen 230.000 demokratët e larguar?

15 Tetor 2017, 20:04Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Lajmi i keq është se PD-ja me këtë resurs njerëzor që posedon e me të cilën është e detyruar të drejtojë opozitën parlamentare nuk mund sërish të bëj dot asgjë. Por, më keq akoma, se edhe lëvizja e re, që po zhvillohet për një frymë të re brenda saj, nuk është se ka ndonjë dallim me të. Anëtarët e dy legjislaturave të fundit të parlamentit shqiptar janë nga më të dobëtit që ka paraqitur nga ana e saj PD-ja dhe PS-ja, por më shumë se kaq është performanca e tyre që e ka ulur deri në fund shpresën e njerëzve. Kjo sepse PS po duket qartë se sensin e ndryshimit e ka të vogël, kurse fjalët e mëdha.

Për fat të keq, PD-ja, njësoj si PS-ja e ka të vështirë të ndryshojë vendin ose të inincojë ndryshime radikale sepse në thelb i mungon vizioni dhe predispozita për t’i bërë këto. Masa e madhe e njerëzve, që përcaktoi dhe barometri evropian, që duan të lënë vendin, nuk është aspak gjë e re, por i ri është fakti që edhe prurjet e reja të PD-së, dëgjesat kilometrike të Ramës dhe propaganda e frikshme e tij, nuk i japin dot shtysë vendit në këtë stanjacion të frikshëm.

Aq e qartë është kjo saqë ti e shikon me luftën e shëmtuar që po bëhet për të etiketuar krimin, që në fakt i ka mbërthyer të dy palët; me reformën zgjedhore, që po përdhoset prej fillimi; e më shumë akoma me vazhdimësinë e boshtë të Reformës në Drejtësi. Është e qartë se të dy forcat politike, larg atij debatit shterpë dhe deklamimeve patetike janë të kënaqur që demokracia ka këto nivele. Është e kuptueshme, vetëm në këtë mënyrë, ato arrijnë ta menaxhojnë si duhet masën e njerëzve, që u marrin votat.

E ndërsa PD-ja po vuan paq qindra- mijërat anëtarët e larguar, PS-ja veç tyre po mban përgjegjësinë e dëshirës së ikjes së dyfishit syresh prej shqiptarëve. Presioni me largimet në administratë, që deri në një farë mase mund të justifikohen, por pa e tepruar; deklamimet për trendin rritës së ekonomisë, kur realiteti tregon se vendi është zhytur në varfëri skajore; shërbimet e munguara ndaj njerëzve në shumë nivele dhe të nëpërkëmbura kudo; reformat që nuk gjejnë zbatim, tregojnë se Shqipëria e ka mbërthyer këtë nivel e nuk do t’i ndahet dhe në ditët, muajt, vitet në vazhdim. Kështuqë, si në një qerthull, atë që bëri pak vite më parë PS-ja duke mbledhur të drobiturit dhe të pakënaqurit, atë po bën PD-ja sot duke e mbrojtur dhe me analizën e humbjes.

Dhe, këtë herë PD-ja i është drejtuar biznesit të vogël dhe intelektualëve. Më të zhgënjyerve. Veçse biznesi i vogël njësoj po e pëson me çdo forcë politike që ngërçet e veta të zhvillimit i plas tek fashat më të dobëta të shoqërisë, e sa i përket intelektualëve që po i kërkon me ngulm, ata tashmë po shkrihen me masën e popullit dhe gjithnjë e më shumë po identifikohen me mbijetesën e thjeshtë.

Kështuqë PD-ja megjithë këtë përpjekje dhe energji që po proklamon para auditorit të vet, shtuar me luftën strapacuese për demokraci brenda saj, nuk do mundet kurrë t’i rimarr të 230.000 njerëzit e saj që i ikën, ashtu si PS-ja nuk do mundet kurrë të ngjallë atë besim me të cilin ka fituar vite më parë. Provën e konfirmoi prej këtyre zgjedhjeve me mungesën masive të votuesve, por në mandatin e ri, qoftë qysh prej zgjedhjeve lokale do ta marrë me refuzimin e votës. Dhe, ky është problemi i frikshëm në vend. Nuk ka më shpresë prej askujt dhe as PD por as PS nuk i kthejnë më dot të zhgënjyerit që po formojnë një armatë të frikshme, që i kalon shumë më tepër 230.000 njerëzit e PD-së.

2 komente në “A do të kthehen 230.000 demokratët e larguar?”

  1. Jimi says:

    Beni! Cili eshte ai institucion qe e verteton se jane larguar 230 mije dhe qe te gjithe keta na qenkan demokrate?
    1miljon e kusur shqiptar shkuan ne kutite e votimit dhe askush nuk e deklaroj voten. Numerimi dhe deklarimi i rezultatit ishte ai qe percaktoje shifrat perkatese per cdo parti, por jo emrat e atyre qe votuan per njerin apo tjetrin siubjekt. Keshtu qe kush jeni ju qe merrni persiper te pecaktoni nje dfinicion te tille? A thua qe nga ky vend jane larguar e do te largohen vetem demokratet!? Pse socialisteve u eshte ndaluar largimi ngaqe ne pushtet eshte nje parti e majte? A thua njerezit e thjeshte qofshin keta demokrate apo socialiste nuk jetojne ne te njejtin vend dhe nuk kane te njejtat shqetesime?

  2. pro says:

    ..demokracine njerezit e konstatojne , si interes,qe rrezaton ne kulture, ekonomi,sport,mjekesi si dhe ne …xhepa..eshte shume i gabuar mendimi se vetem ne radhet e PDse ka demokraci,..apo mendimi i nje trushkulure deputete e cila klasifikoi radhet e PD si me te ndershme!!.ne radhe te pare duhet te dime ç,fare sistemi po zhvillohet tek ne ..dhe si po e shet marketingu politik… ne teatrin parlamentar,nje parti i bie gozhdes ,tjetra patkoit dhe te gjitha qajne nga dhimbjet….mua me duken te gjitha si motra ,qe aktrojne zellshem ..ka shume probleme qe kerkojne zgjidhje ,por jane lene pezull,sepse ..e urrejne bashkepunimin..prandaj shkoi edhe elefanti i bosforit ne serbi,sepse siguria te kushton…dhe tek ne ..eshte ne ajer…tek ne mungon bashkepunimi per te ecur para..pra demokracia dhe levat e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje