Jo taksë të sheshtë për banesat!

17 Tetor 2017, 19:08Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Kushdo që e njeh realitetin shqiptar, e kupton se kurrizi i pensionistëve dhe i familjeve në nevojë, nuk mban dot rritje taksash. Por taksa e sheshtë e shtëpive, bazuar në vlerën e tyre të tregut (që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar), do të sillte një barrë të shtuar tatimore, mbi këtë shtresë të vuajtur të popullsisë.

FMN-ja ka këmbëngulur me kohë që, në Shqipëri, të zbatohet një taksë e bazuar në vlerën e shtëpive, e jo një tarifë aforfe, bazuar në metrat katrorë të tyre. Në media, ka kohë që qarkullon një memo e FMN-së, ku jepen shembuj si mund të zbatohet kjo taksë, me dy përqindje të ndryshme të vlerës së shtëpisë – 0.075% dhe 0.15%. Dhe qeveria shqiptare mund të zgjedhë një përqindje, diku mes këtij intervali. Le të themi, 0.1%.

Kjo do të ishte një taksë e sheshtë mbi vlerën e shtëpisë. Pra, një çift pensionistësh, me një apartament të vjetër (me vlerë 30 mijë euro), dhe një oligark, me një super vilë (me vlerë 3 milionë euro), i bie të ngarkohen me të njëjtën përqindje – 0.1% të vlerës së pronës. Për çiftin e pensionistëve, kjo taksë do të ishte një barrë më se e rëndë. Nga ana tjetër, oligarku, ndoshta, jep më shumë bakshish për kamerierët në një vit, se sa mund t’i duhet të paguajë, taksë vjetore, për vilën e tij.

Pikërisht, për të adresuar probleme të tilla sociale, ka lindur edhe taksa progresive që, në rastin e taksës mbi pronën (ndryshe nga taksat mbi të ardhurat), mund të zbatohet relativisht pa vështirësi administrative dhe pa ndërlikime fiskale.

Por si mund t’i ndihmojë taksa progresive mbi pronën, pensionistët dhe familjet në nevojë? Duke vendosur një prag të pa tatueshëm vlere prone, të themi 30 mijë euro, deri në të cilin paguhet 0 euro taksë.  Më pas, taksa mund të ketë shkallëzime për vlerat 30-60 mijë euro, 60-120, e kështu me radhë. Në çdo shkallë mund të zbatohet një përqindje në rritje e taksës mbi pronën.

Le ta bëjmë më të qartë taksën progresive mbi pronën, me disa shembuj.

Shembulli 1

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen më pak se 30 mijë euro. Kjo familje i detyrohet shtetit 0 euro për taksën mbi pronën.

Shembulli 2

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 54 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro dhe 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë dhe 2 euro në muaj për 24 mijë eurot e shkallës së dytë.

Gjithsej, kjo familje do t’i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 2 euro në muaj, ose në një vit, 0.04% të vlerës së pronës.

Shembulli 3

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 110 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro dhe 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, dhe 5.2 euro në muaj për 50 mijë eurot e shkallë së tretë.

Gjithsej, kjo familje do t’i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut) 7.7 euro në muaj, ose në një vit, 0.08% të vlerës së pronës.

Shembulli 4

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 178 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro dhe 0.15% për intervalin 120-180 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, 6.25 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallë së tretë, dhe 7.25 euro në muaj për 58 mijë eurot e shkallës së katërt.

Gjithsej, kjo familje do t’i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 16 euro në muaj, ose në një vit, 0.11% të vlerës së pronës.

Shembulli 5

Një familje ka në pronësi një supervilë që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 1 milion euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro, 0.15% për intervalin 120-180 mijë euro, dhe 0.2% për vlerën mbi 180 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, 6.25 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallë së tretë, 7.5 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallës së katërt dhe 137 euro në muaj për shkallën e pestë.

Gjithsej, kjo familje do t’i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 153 euro në muaj, ose në një vit, 0.18% të vlerës së pronës.

Por si do të zbatohej taksa progresive mbi pronën, në rastet kur një familje ka në pronësi më shumë se një apartament apo një vilë? Normalisht, taksa progresive duhet zbatuar mbi vlerën totale që ka në pronësi një familje. Me fjalë të tjera, taksat që duhet të paguajë një familje me dy apartamente, nga 100 mijë euro secili, duhet të jetë e barabartë në total me taksën e një familjeje që ka në pronësi vetëm një apartament me vlerë 200 mijë euro.

Por në praktikë, një zbatim i tillë rigoroz i taksës progresive mbi pronat, mund të hasë në vështirësi administrative.

Së pari, një familje mund të ketë një apartament në Tiranë e një në Durrës. Në këto kushte, taksa e Tiranës do të faturohet çdo muaj nga Ujësjellësi i Tiranës, ndërsa ajo e Durrësit nga Ujësjellësi i Durrësit. Dhe koordinimi i tyre mund të mos jetë dhe aq i thjeshtë…

Së dyti, një familje mund të ketë në pronësi dy apartamente në Tiranë, por secilin në emër të pjesëtarëve të ndryshëm të familjes (burri e gruaja mund të mos kenë të njëjtin mbiemër, siç po bëhet e zakonshme kohët e fundit). Dhe identifikimi i apartamenteve si pronë e përbashkët e familjes, në këtë rast, do të përbënte një vështirësi jo të vogël administrative…

Përfundim

Taksa e sheshtë mbi pronën do të ishte një barrë e papërballueshme për shumë pensionistë e familje në nevojë. Taksa progresive mbi pronën do të ishte më e drejtë dhe shumë e thjeshtë për t’u zbatuar, për secilën pronë më vete. Për rastet e shumë pronësisë, duhet pritur ndoshta një moment i dytë, që të zbatohet e kombinuar shkalla e progresivitetit të taksës.(AFP.al)

5 komente në “Jo taksë të sheshtë për banesat!”

  1. Bizelbub says:

    Sido qe te jete taksa do paguhet.ai qe spagu del ne rruge.kapitallizmi eshte sis tem i eger thosh enveri. q… njeriu njerine.

  2. mirel says:

    Shume i drejte sugjerimi. Po qiveria jone do na coje ne Evrope me taksa, se per te tjerat Evropen nuk e pame gjekundi.
    Me keta plera bandite qe kemi ne shtet zor se arrihet mirekuptimi. Vetem tritoli i Meros per Harti Lenen ben pune.

  3. Paqesori says:

    Nuk e marr dot me mend nese mundem te ble nje apartament 30 000 euro ne Tirane.
    Nese po…do ju a dija shume per nder te me thonit se ku mundem te ble nje te tille Dhe pse jam pensionist ju jap fjalen se do ta paguaja dhe taksen ! Po ne Tirane ama !
    Faleminderit

  4. Gjon Ndreja says:

    Pershendetje z.Zaloshnja. Urime per shkrimin dhe idete e prezantuara jane me te vertete interesante. Por ajo qe dua te them qe ne fillim lidhet me konceptin e takses. Legjislacioni yne por edhe teoria e financave publike njeh kategorine e taksave, tarifave dhe tatimeve te cilat jane shume te ndryshme me njera tjetren nag permbajtja ekonomike dhe destinacioni i perdorimit. E perbashketa e tyre eshte se ato nxirren ne menyre te detyrueshme. Ne anglisht kur thua takse i ke thene te gjitha keto kategori. Ajo per te cilen Ju flisni ne shkrim por edhe qe qeveria synon te beje eshte vendosja e tatimit mbi pasurine por ne fakt gabimisht e emertoni si takse. Ne nje shkrim te paradokohshem une e kam trajtuar kete nisem nisur nga koncepti i takses dhe jo i tatimit dhe ka pasur shume komente lidhur me kete. Edhe Kosova ka nje ligj per tatimin mbi pasurine. Vende te ndryshme nuk e tatojne fare dhe ne kend veshtrimin tim dhe nga pikpamja teorike eshte e diskutueshme vendosja e ketij tatimi. Vende te ndryshme gjithashtu perdorin disa nivele taksimi duke u nisur nga sic ju thoni nga 30.OOO Euro. Personalisht do te isha per vendosjen e tatimit vetem mbi vleren e shtuar te nderteses dhe kjo te aplikohet vetem ne rastin e shitjes. Duke pasur parasysh ate shembullin qe ju sillni per pensionestet, nje cift i tille mund te kete trasheguar nje shtepi luksoze por te ardhurat e tyre jane vetem pensioni i cili nuk perballon shlyerjen e tataimit. Ne koncepetin tim tatimi duhet vendosur vetem per ato veprimtari qe gjenerojne te ardhura dhe nje shtepi banimi nuk gjeneron te tilla.Per nje shtepi te blere eshte paguar nje here TVSH dhe tatimi mbi fitimin. Ka shume argumente per te mos e vendosur kete tatim por deri tani me gjithe kerkimet e mia nuk gjej asnje argument teorik se perse duhet vendosur. Argumenti se” keshtu e ka bota” me duket nje argument idiot. Gjithesesi shkrimi eshte me shume vlere i trajtuar jo si takse por si tatim mbi pasurine.

  5. Asd says:

    Oligarket? Term idiot qe perdoret per taksimin. Oligarket numerohen me gishta, ndersa behet fjale per te marre dhe mbledhur taksa nga te gjithe. E meqe duhet taksim i drejte atehere duhen taksuar te ardhurat dhe jo shtepite. Ka plot raste ku njerezit kane shtepi por jo te ardhura. Si do te paguajne? Me cfare?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje