Ish- deputeti i PD, Fatos Hoxha, ngre pikepyetje mbi pafuqinë e opozitës për të kthyer në energji opozitare skandalet e drogës.
Arsyeja, sipas tij, është se ndërsa policia thuhet që jeton me qira tek trafikantët, askush nuk po thotë se qiraxhinj të kujt janë denoncuesit zhrumaxhinjë.
“Zhvillimet e fundit me histori droge dhe kapje të shtetit nga krimi sollën edhe një herë në qendër të vëmendjes temën e dekriminalizimit të shtetit dhe të politikës.
Lufta politike kapi dhe një herë majat, por dëshpërimi, tulatja dhe mungesa e shpresës duket sikur po i mbysin njerëzit, nuk po i ringrenë.
I bëj pyetjen vetes: pse denoncimi nuk na kthehet në forcë, pse kapja e kriminelëve me dhe pa pushtet nuk na bën dot optimist? Besoj se shumëkush prej nesh e ka përgjigjen e saktë për këtë.
Në vitin 2013, në kohën kur një dorë e fortë më largoi nga politika, pata denoncuar “Kolumbizimin” e Shqipërisë dhe gjithë të këqiat që po i sillte vendit kriminalizimi i politikës dhe i shtetit.
Shumë nga ato paralajmërime më ngjan se u vërtetuan nga koha. Por prapë unë ringritje dhe shpresë nuk shoh dot.
Edhe në Kolumbi ka pasur për vite të tëra denoncime të krimit dhe të kapjes së shtetit nga droga, edhe në Kolumbi ka pasur rregullisht ndëshkime, këputje fijesh, bile dhe asgjësime me dhe pa gjyq, me dhe pa ligj. Por në Kolumbi asnjëherë nuk ka pasur shpresë.
Situata ka qenë gjithmonë e qartë. Luftën kundër kartelit të drogës së Medelinit e udhëhiqte karteli i drogës i Kalit.
Rrënimi i njërit ishte ngadhënjim i tjetrit.
Shteti ishte thjesh “qiraxhiu”.
Një nga denoncuesit më të zëshëm publik të klanit të Saje Qorrit dëgjova të thonte dje në një media: “policët e Vlorës nuk e luftonin dot bandën e trafikantëve sepse jetonin me qira në apartamentet e saj”.
Denoncuesi nuk fliste me metafora, por unë besoj se përshkrim më therës se ky nuk mund të ketë për realitetin shqiptar të “luftës” kundër drogës.
Shteti është sjelle dhe vazhdon të sillet si qiraxhi i drogës. Prandaj lufta kundër saj nuk ka sukses.
Çështja është : ata që denoncojnë me zhurmë klanin e Saje Qorrit qiraxhi të kujt janë?”, shkruan Hoxha