Taulant Xhaka ka qenë protagonist absolut i fitores së Bazelit në fushën e CSKA të Moskës me golin e avantazhit 1-0 dhe pasimin e saktë për Oberlin për golin e rezultatit përfundimtar 2-0. Për të gjithë, ai ishte heroi i mbrëmjes së djeshme që afroi Bazelin me kualifikimin në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.
E përditshmja zvicerane “Blick” i ka vendosur mesfushorit shqiptar notën 6 (më e larta që vendoset për paraqitjet e futbollistëve, me notën 1 që është me ulëta). “Kaloi në avantazh skuadrën me një aksion energjik. Kontrollon mesfushën. Më i miri”, shkruan “Blick” në portalin e tij ku Xhaka më parë përmendej kryesisht vetëm në aspektin negativ. Tre vite më parë, ky portal zviceran ishte ai që kërkoi që mesfushori i përfaqësueses shqiptare të dënohej për një përshëndetje që kishte drejt tribunës duke e cilësuar si fashiste.
Ndërkohë, edhe në mediat italiane, Xhaka është vlerësuar me një notë shumë të lartë. “TMW” i vendosi atij notën 7 për këtë paraqitje. “Aksioni i tij e ndez më në fund ndeshjen pas 30 minutash apati të plotë. Frymëzon manonvrën e skuadrës dhe tërheq shokët e ekipit”, shkruhet në vlerësimin për Xhakën.