Kryeministri Edi Rama deklaroi se për vitin e ardhshëm kemi një buxhet 42% më i lartë për financimin e infrastructures për të përfunduar disa prej akseve kryesore të vendit.
Duke folur në dëgjesën publike për buxhetin 2018 për infrastrukturën kryeministri foli për programin “1 miliard për rindërtim”dhe tha se në këtë 4-vjeçar qeveria do të bëjë të mundur transformimin e akseve për t’u certifikuar sipas standarteve europiane.
Më tej kreu i qeverisë paralajmëroi ndëshkim për të gjithë ata supervizorë që mashtrojnë për të përfituar nga buxheti i shtetit.
“Ne jemi një vend ku nuk është financuar pak për infrastrukturën kombëtare, dhe nëse do vendosim në balancë paratë e derdhura me rezultatin ndër vite, ka hendek të madh. Planifikimi kombëtar dhe projektet kanë qenë në të mangëta.
Dhe në fund produkti është i mangët. Sot nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të certifikuar sipas standarteve europiane.
Në këtë 4-vjeçar do bëjmë të mundur këtë transformim, që akset tona të garantojnë lëvizshmëri e që nuk kërcënojnë jetën e askujt. Si do bëhet kjo?
Kemi një buxhet për vitin e ardhshëm, 42% më i lartë për financimin e infrastrukturës, do të jetë i mjaftueshëm nëse projektet janë të duhurat.
Në 4 hapa gjatë 4 viteve do t’ja dalim. Infrastruktura nuk është vetëm kaq, por është rilindja urbane që do vazhdojë në të gjithë vendin, me fokus zhvillimin e turizmit dhe agro-turizmit.
Do garantojmë çlirimin e një ngërçi disa vjeçar për shkak të një gare, kontrate me mangësi, në dy bypass-et kyçe të Fierit e Vlorës, të cilat më në fund janë vënë në rrugën e zgjidhjes, dhe do vijojë puna vitin e ardhshëm. Jeni njohur me projektin e rrugës së Arbrit, pritet finalizimi i kontratës, dhe nisja e punës.
Tolerancë 0 ndaj supervizorëve që do mashtrojnë për të përfituar nga buxheti i shtetit. S’ka zyrtar ARRSH të hapë buxhet me firmën e tij duke i hapur borxhe qeverisë e më pas popullit, duke bërë sikur s’kupton.
Ne besojmë se i kemi të gjitha potencialet për këtë financim masiv, duke krijuar vende pune, duke stimuluar ekonominë e në fund të 4-vjeçarit të kemi vepra të përfunduara,” u shpreh Rama.
Genjeshtar
Si nuk paska turp ky njeri !