Historia e jetës sime, Fuatit, Luftarit, Sofikës e Sotirit…

16 Nëntor 2017, 18:15Kulturë TEMA
Historia e jetës sime, Fuatit, Luftarit, Sofikës e Sotirit…

Meditime në vend të kremtimit të një jubileu

Nga Pëllumb Kulla

Në fund të fundit kjo është historia e jetës sime, siç është historia e Fuatit, e Luftarit, e Sofikës e Sotirit…

Janë ca meditime që më vërtiteshin në qiejt e trurit ndërsa para nja 4-5 netësh, shokë e miq u mblodhën në një darkë për të më përcjellë mbrapsh, pas një thirrjeje shterpë, që m’u bë për kremtimin e 60 vjetorit të estradës së qytetit, kremtim që shumica e neve që punuam në të, na u duk sikur e blojtën nofullat e një lloj sabotimi, gjithsesi dashamirës…

Por kjo është një histori më vete.

Më lejoni të vijoj rrëfimin e një segment të jetës sime në atë trupë dhe në atë qytet që është më shumë i dashur se sa piktoresk…

Është historia e një zone të vuajtur, ku më degdisi jeta dhe ku fati më përkëdheli duke më dërguar të hedh shtat.
Është histori karakteresh, legjendash, përrallash popullore, veprash fisnike dhe banalitetesh…

E gjitha kjo ndodhte në një vend ku ngrohte zjarri i humorit, ku shkrepëtinin xixat e fantazisë së Neços; ku Fuati sillte rrëfenja, se si një fis i tërë vaksinohej me një shiringë të vetme, pa e ndërruar dhe pa e zhytur as në alkol; ku Luftar Paja shkëlqente me imitimet e fshatarëve mallakastriotë dhe lebër; ku aktorët dashuronin me dashurinë time Çehovin, Nesinin, Mark Tuenin, Hashekun dhe Buxatin; dhe zbatonin verbërisht pedagogjinë që sillnim nga fakulteti, – edhe kur ajo pedagogji shkëlqente, edhe kur ajo çalonte!

Ishte histori e një skene, ku Xhuli im në moshën 25 vjeçe debutonte me rolin e një plake të zamanit; e një mjedisi, ku jo vetëm Lad Muzha, por të gjithë aktorët e trupës teatrore nisën të ndjenin etjen që të bashkoheshin me Todin, Arqilenë, Hasanin dhe Fatmirin; historia e një qendre pune, ku organizata bazë e partisë ishte grupimi më i pakulturuar dhe kishte të vetëndjerin se udhëhiqte dhe bile që ishte autorja e sukseseve, frymëzuesja e repertorit dhe arritjeve aktoriale, muzikore dhe vokale! Ishte vendi ku Maku dhe Todi, sekretari i saj, pa bujë dhe pa buçima, në konflikte i dilnin krah të nënëshkruarit, më shumë se shokut të tyre të organizatës dhe e ndjenin se poezia e rruzullit qëndronte në skeçet me karaktere dhe jo në buletinet për përdorim të brendshëm që vinin nga shkallët e larta të partisë.
Kjo ndodhte në Fier, në atë Fier ku përgojohej jetëshkrimi i njërit prej autorëve më të mirë të humorit skenik, ku një herë në vit duheshin plotësuar dokumentat jetëshkrimorë dhe ku pyetjes së shoqes të kuadrit, nëse i jetonte ende gjyshi, Kulla kishte pacipësinë t’i përgjigjej, jo thjesht “nuk rron,” por “është pushkatuar.”

Aty sekretarët e Komitetit të Partisë e kishin frikë partinë e tyre më shumë seç e kisha unë.

Vënd i bekuar!…

Sensi i humorit lulëzonte tek punëtorët e skenës, tek orkestrantët, marangozët, kaldaistët, aq sa njëri prej tyre, Leu Lipe, shkëlqeu në popullaritet dhe u bë Artist i Merituar i Republikës!

Mbi atë skenë mbretëroi pa u shuar asnjëherë pranvera e haresë. Se aty puna nuk ishte lodhje, por dashuri dhe frymëzim. Aty morën jetë figura artistike madhore, myzeqarët e Fuatit, Çoboja, pleqtë dhe ballistët e Luftarit, zëri i dytë humoristik i Hasanit, karakteret temperamentalë të Xhulit, ata episodikë, që Sotiri, jo vetëm nuk i përbuzi, por i gatoi me talent të paparë.

Ishte vendi, ku si rrallëkund, në pikë të agut të mëngjezit, u ndezën zjarre pranë biletarisë, në pritje të hapjes së saj orë më vonë, për të mundur të shihje Lipe Shtogun, Dasmën e Malos, për të shijuar nëntekstet ironike të zonjave buzëmbledhura që pikturonin Hajria me Natashën, kur ato vinin mysafire në përbërje të trupës, monologjet e Vasos, rritjen e përditëshme të Fatmirit të porsa ardhur dhe kupletet e Todit; për të shijuar zërat e Ëngjëllushes, Lefterisë, Sofikës, Brunës, Timos dhe atë prej tenori të Todit vetë; pianon e Maries, fisarmonikën e Isufit, flautin e Mitit saksin e Llazit, trombën e Janit, kitarën e Sandrit. Edhe sidomos për të ndjekur rritjen e Rikut, i cili që nga Konservatori solli kërkimet novatore, orkestrimet dhe ekzekutimet brilante vetjake në dy instrumenta, saks dhe klarinetë.

Ku bashkëpunimit regjisorial me Roshin nuk kish se si të ishte më harmonik…

Kanë qenë ca vite vetëm me pranvera!…

Faleminderit fatit dhe njerëzve të mirë që ishin të shumtë!

E shenjtë bukuria e asaj jete, ku penat më të mira humoristike të vendit synonin interpretime të goditura. Pra fluturonin drejt Fierit faqet e arta letrare të Kallamatës, Buxhelit, Musarait, Tasimit, Dritëroit, Vilit… Dhe ku vendasit sollën ajkën e shkrimeve të tyre, – Ndini, Llazoja, Nevruzi, Tashkoja… Faqet e vlerta të tyre përzgjidheshin dhe kalonin filtrat e lartë të pjekurisë letrare të Laços dhe finesës poetike të Makut.

Vërtet, vërtet! Është e pabesueshme se si njëzet vite nga këta të mijtë, të tetëdhjetë stinët i patën vetëm pranvera!

Nuk ta beson kush! Dhe i jap të drejtë!…

11 komente në “Historia e jetës sime, Fuatit, Luftarit, Sofikës e Sotirit…”

  1. IP says:

    Je shume I madh Pellumb Kulla. Ky falenderim dhe shprehje e mirenjohjes dhe nostalgjise tende per ate qytet dhe popullin e tij, si dhe ndaj bashkepuntoreve te tu, eshte teper fisnik dhe I ndjere thelle, qe vetem nje zemer e mire, e madhe, plot dashuri dhe qe kerkon paqe mund ta beje.
    E menderos nga njehere (impuls nga vuajtjet per shkak te “biografise” – e kuptueshme), sidomos kur sjell ca shembuj si Franko fashisti, por nje artisti te madh I falen ca lajthitje, here pas here. Je I madh, plot dashuri e ngrohtesi njerzore, dhe me nje humor te jashtzakonshem. Nderime dhe respekt

  2. Jimi says:

    Spektatori shqiptar do te jete gjithmon borxhli ndaj kontributit tend te patjetersushem ne art , pse jo edhe ndaj karakterit tend fisnik!

  3. ''askush nuk urrehet me shume se ai qe thote te verteten...........[PLATO]! says:

    si perhere pordhe me rigon,aspak rreal qe thjesht te kujtojne citatet vulgare te propagandes komuniste se ;”………..jetojme te lumtur”,”shkemb graniti”,”fanar ndricues”,” njeriu i ri ” apo edhe te tjr,etj,etj!
    humori[nese mund te quhet i tille] sunit i asaj kohe ishte i peshtire,falco,pa estetik,lavde ndaj partise apo pederit Enver,por edhe sot duhet te shahet apo flitet vulgarisht qe te buzeqeshin me zor turmat e sfilitura…………!

    1. Oketo says:

      Je me gjithe mend per tu urryer jo se thua të vërtetën por sepse je tramp . Përkundrazi humori i Kullës e shmangu propagandën komuniste ndërsa sot humori pothuajse nuk ekziston. Dhe pikërisht ai pak humor i sotëm është ashtu si thua ti për atë Kullës:I peshtire, fallco dhe pa estetik. Ik or trap

    2. shoku says:

      O Ti askushi etj, etj, ndoshta ne ate kohe ke vuajtur, nuk ta mohoj. Ndoshta ke te drejten e gjithe kesaj bote ta mallkosh ate kohe, por pse o njeri i mire permend terma sunit dhe ofendon nje njeri ( nuk besoj se e njeh), duke i ngjitur lloj, lloj thyerjesh. Ti je i lire te hedhesh mendimin tend, askush nuk ta censuron, por mua me indinjove shume, por nuk kam per te ofenduar, shaj apo thyej, jo se nuk di, por ti je nje njeri, ti je shqiptare, je si une, vetem se akoma ne shpirtin tend dikush mbjell urrejtje, te trazon mendjen, te mbylle cdo dritare qe sjell drite, dhe ti behesh prehe e se keqes, qa akoma nuk te ka leshuar ( qe nga koha e monizmit).
      Me vjen inat se je njeri i mencur, teksa perdor shprehje dhe mendime te qarta, por kjo nuk do te thote ta shfrytezosh per te thyer njerez.
      Po e mbyll me nje shprehje te vjeter: Jepi Cezarit cka i perket Cezarit.
      Nderime.

  4. pokeristi says:

    Pellumb!
    Mbetsh ashtu sic je, Pellumb mbi pellumbat,kashlyc kembelesh..Keshtu i kemi pas thene te vegjel,keshtu te them tani qe jam ne startin e te
    80-ave.
    Sigurisht jo tegjithe te kuptojne,jo te gjithe te admirojne.Eshte nje shumice dominuse,qe ndjejne thelle bukurine magjepese te shpirtit tend te madh,te gjere e te thelle.Dimensione keto qe jo te gjithe i kane..
    Ate qe te gjitha qeverite t’a kane lene mangut,t’a kane kompensuar miqte,shoket,spektatoret,…dhe te gjithe ata qe te kane njhur,sado pak.
    C’te ka lene mangut qeveria
    T’a ka mbushur njerezia

  5. xheJ eN Bi says:

    Per ata qe nuk e din se Riku ishte Ferit Hoxha dirigjenti i orkestres së trupes. Feriti mbarioi Akademine e Arteve per klarinet.
    Ishte shoku im i klases.
    I urojë shendet ne Amerikë ku eshte aktualisht.

  6. Vjosani says:

    Askush, sikur te dije ca nga psikologjia, do ta kuptoje kompleksin tend. Nga qe je anonim, jo si emer, po si karakter, ke vetem nje shpetim, te urresh me te Mirin. Asgje nuk te shpeton dot tashme, ne cdo fjale tenden une lexoj dhjetra faqe nga shpirti yt katran. Po te ishte gjalle Nice e Frojdi, ti do te ishe nje model i shkelqyer per ta. Ke degjuar gje per ta? Per veprat e tyre, madheshtine e tyrene zberthimin e ca shpirtrave njerezor si jarge krimbi si ty? Se mos i ngaterron gje me shitesit e lagjeve apo kamarieret e llotosporteve ku dergjen tipa si ty. Dhe se fundi, vete emertimi, qe i ke zgjedhur vetes, eshte nje liber i tere i hapur per psikoanalizen. Jashte akademizmit, tani edhe nje shprehje shqip. Pellumb Kulla eshte 1 meter e 90 centimetra i gjate… Pse une jam i sterbindur se ti nuk je i gjate as sa nje koqe e tij???

  7. Oketo says:

    Je me gjithe mend per tu urryer jo se thua të vërtetën por sepse je tramp . Përkundrazi humori i Kullës e shmangu propagandën komuniste ndërsa sot humori pothuajse nuk ekziston. Dhe pikërisht ai pak humor i sotëm është ashtu si thua ti për atë Kullës:I peshtire, fallco dhe pa estetik. Ik or trap

  8. Pirro54 says:

    O “askush…..” humori nuk eshte per ty, separi se e bejne dhe e ndjejne te mençurit dhe se dyti nuk ze vend ne shpirtra katrane. Pellumbi si gjithkush qe ka punuar, ka te drejten ti gezohet dhe te kete nostargji prt ate qe ka bere. Ai flet me nje sinqeritet gati feminor per koleget dhe mardheniet me ta,Eshte modest deri ne fisnikeri kur e barabit vehten dhe e ben njesh me te tjeret. Eshte nje shprehje ketej nga ne “Ku Milia e ku kimia”

  9. Nese kerkojme te PERKRYERIN ne profeionin e tij,Pellumb Kulla eshte .
    Me vjen keq,qe s’jam ai qe duhet per te vleresuar te Madhin,(me germen M. te madhe po e shkruaj) ,PELLUMB Kulla, me te tera.
    Keq me vjen qe komentues,kunder Kulles, jane nga ata, qe hiqen se jane dikush,po jane askush.
    Pellumb Kulla i ka shoket e rralle, sa po degjojme e shikojme.
    Tere epitetet e MIRESISE per te jane,e nuk do mjaftonin.Mbi te gjitha-SINQERITETI i TIJ.
    Ai vetem me kete qe vetepershkruhet,larteson veten.
    Tani po e shohim Pellumb Kullen e Vertete ARTIST KRIJUES ne misionin e tij vene vetes
    Faleminderi dhe ,beji tuajat Pellumb Kulla dhe mbi 80 vitet e mia, jetuar me ata artiste te brezit,mbetur ELITE .
    Me vjen keq qe kam me vete(ketu tej oqeanit, vetem librin modest “PERSONALITET TE ARTIT SHQIPTAR”
    Te Baxhul Merkajt,(botin 2001) ,qe e falemderoj dhene me autograf,)sjelle AJKEN e ARTISTEVE shqiptare, e mungon Pellumb Kulla-PELLUMB !
    Faleminderi Pellumb Kulla, sa na kthiellon vitet; “BRYMOSUR”(fatkeqesisht)-pseudo-DEMOKRACIA.
    Me fali lexues te dashur-ABC-ne, sa nisur e mesoj,nga pena te tilla .
    Gezuar festat e NENDOREVE- me divizen “OPOZITARE po VELLEZER-ATDHETARE”.
    Pasues Veterani; 81 vjecar;Me komentuesit: “Vjosani”(pa dy fjalet permbyllese)sa Piro54 e tj.si ata.
    Toronto 18-Nendor 2017 Guri Naimit D.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje