Partizani i Starovës mbetet “i vjetri”, shpëtimin te merkatoja

17 Nëntor 2017, 13:58Sport TEMA

Trajner i ri, Partizani i vjetër. Në kampin e kuq shpresonin në një fillim të ri me Starovën, por atje, në Lac, minutë pas minute, optimizmi ua la vendin sërish dyshimeve, zhgënjimit, irritimit e pse jo, edhe frikës.

Në fund Partizani është larguar me një tjetër humbje, Starova pavarësisht se e njeh skuadrën mirë, nuk paska shkopin magjik dhe grupi nuk është ai i vitit të kaluar.

Me një Torasa apo Cetkovic më pak, gjithmonë të aftë të krijonin situata të vështira në zonën kundërshtare, e aq më tepër pa Ekuban, i zoti për të shpikur gola që ndonjëherë mund të shërbenin edhe si makiazh për një paraqitje mesatare, ky Partizan e ka të vështirë të ringrihet.

Sukaj nuk është ende 100%, Çani mbetet ende një enigmë e pazgjidhur dhe duket se shpresa e vetme për një ndryshim total kursi është merkatoja e janarit.

Partizanit këtë herë do t’i duhet të futet me ndërhyrjet e duhura, por deri atëherë në lojë janë edhe 7 ndeshje, dy të parat me një shkallë vecanërisht të lartë vështirësie, ndaj Kukësit dhe Skënderbeut.

Deri në janar, Starovës do t’i duhet të bëjë llogaritë me “brumin” që ka në dispozicion, vendi i 6-të në klasifikim nuk lë marzh tolerance për sa u përket pikëve, dhe janari duket vërtet shumë larg.

Deri atëherë Partizanit i duhet të gjejë forcat për të mos humbur më terren, në të kundërt, rrezikon të përfshihet nga një makth i ngjashëm me atë që kaluan rivalët historikë të Tiranës një vit më parë./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje