Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu u shpreh se ekipi i tij ka shanse për të rritur objektivin per kete sezon.
Ai tha se Kamza si prioritet kryesor ka mbijetesen në Superiore.
“Në përgjithësi, ishte një lojë shumë e mirë në fazën mbrojtëse. E kishim shumë të vështirë në pjesën e parë të sulmonim se skuadra e Skënderbeut ka nivel. E kishim ndërtuar strategjinë që të kundërsulmonim si me rastin e Raçiç. Por pësuam një gol të çuditshëm, pasi u hap barriera dhe Radas është një lojtar i aftë, e gjeti vrimën për të shënuar. Por mendoj se jemi në rrugën e duhur.
Kemi garanci që deri në këto momente është super. Mbështetja financiare na jep qetësinë që në futboll është e rëndësishme se lojtarët i ngroh shumë paga. Në çdo ndeshje kemi marrë premio, nga aspekti finaciar nuk kemi probleme. Gjithçka mbetet e hapur por me këto lojtarë do të ecim mirë.
E rëndësishme është që morëm pikët që duhen për të mos rënë nga kategoria, nuk kemi siguruar asgjë. Ky kampionat është shumë i fortë, në çdo moment rrëshqet në fund nëse gabom. Por nëse ecim me këto hapa mund t’i afrohesh Europës”, tha Ndreu.
Ndersa, trajneri i Skenderbeut Ilir Daja u shfaq i pakënaqur nga barazimi i sotëm ndaj skuadrës së Kamzës.
Daja ka kritikuar mbrojtjen për pësimin e golit.
“Na vjen keq që pësuam një gol në atë formë. Duhet të marrim gjithmonë 3 pikëshin si në shtëpi ashtu edhe në transfertë. Lilaj dhe Jashanica janë dy mungesa të mëdha. E kemi mbajtur pothuajse gjatë gjithë kohës kundërshtarin në zonën e tyre, por gjithsesi futbolli i ka këto.
Në rastin e golit, situata duhej vlerësuar ndryshe nga mbrojtësit tanë. Në atë rast duhet vetëm që të ruanin distancën e sigurisë. Mbrojtja gaboi, por jo vëmendja e duhur solli dhe atë gol që barazoi rezultatin.
Klasifikimi na lejon që të jemi në gjendje komode. Pritshmëria ka ardhur nga paraqitja që kemi bërë. Nuk fundi i botës që sot barazuam. Kamza është një skuadër e fortë dhe e ka treguar këtë gjë në kampionat. Kemi tentuar që të bëjmë rotacion në ndeshjen e parë.
Lojtarët që futen nuk janë në ritmin e futbollistëve që luajnë nga minuta e parë në shumicën e ndeshjeve. Ata mund të kenë cilësi individuale, por duhet të përshtaten me pjesën tjetër të ekipit. Futbollistët që dëshiron të luajnë si titullar te Skënderbeu duhet që ta meritojnë, dhe jo ta kërkojnë”, tha Daja. (TemA)