Carlo Tavecchio jep dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit. Në mbledhjen e fundit të këshillit të përgjithshëm që zgjati 40 minuta, ishte koha për të dhënë llogari dhe pas diskutimesh të shumta, Tavecchio u dorëzua duke hequr dorë nga detyra e tij.
Presionet e shumta të ardhura nga qeveria italiane dhe nga komiteti olimpik kombëtar italian CONI, detyruan numrin 1 të Federatës të jepte dorëheqjen.
Pas shkarkimit të trajnerit Ventura nga vetë Tavecchio vjen edhe dorëheqja e këtij të fundit. Janë këto disa nga pasojat që ka sjellë eliminimi i Italisë nga Suedia në Play-offin e Botërorit, Rusi 2018, me kombëtaren e kaltër që nuk arriti të kualifikohej në një Kupë Bote pas plot 60 vjetësh.
Pas tërheqjes së Tavecchios duhet menduar për zgjedhjet e ardhshme për president të Federatës Italiane të Futbollit të cilat pritet të zhvillohen pas 90 ditësh.