VIDEO/ Reformimi i Akademisë së Shkencave, Rama: ASH "kufoma" e vetvetes

22 Nëntor 2017, 12:14Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin rreformator të Akademisë së Shkencave ku është shprehur se ky institucion është “kufoma” e vetëvetes.

“Duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët për një sintezë të arsyeshme në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër.

E vërteta është që pavarësisht ftesës dhe përpjekjes sonë, ne nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste në këtë proces dhe që të na përfshinte në këtë proces, ku humbëm, humbët më shumë se një vit në një inerci që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që dikur u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe sot është burim pezmatimi permanent për të mos thënë brengë për të gjithë ata që e themeluan Akademinë e Shkencave dhe i dhanë asaj shkëlqimin e autoritetit të tyre”, deklaroi Rama.

Shefi i qeverisë theksoi se ishte pikërisht kjo situatë që e bëri të pezullojë financimin.

“Siç e kam thënë edhe në diskutimin që kemi pasur më parë, e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes, ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues dhe më vjen mirë që kam përballë një ndër studiuesit më të nderuar dhe një nga zanafillorët e Akademisë, profesor Luan Omarin i cili është edhe një dëshmitar i gjithë rrugëtimit të këtij institucioni dhe rrënimit të këtij institucioni”, tha Rama

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje