«New York Times»: Serbia kurrë nuk mori përgjegjësi për krimet e kryera në emër të serbëve

24 Nëntor 2017, 14:19Rajoni TEMA

Në një shkrim të botuar të premten gazeta e njohur amerikane «New York Times» ka kritikuar qeverinë e Serbisë për mënyrën se si po e shikon të kaluarën e përgjakshme në Ballkan.

Gazeta përkujton se muajin e kaluar gjenerali serb Vladimir Llazareviq u prit ngrohtësisht nga ministri i Mbrojtjes kur mbajti një ligjëratë para kadetëve të Akademisë Ushtarake në Beograd.

Ministri tha se kombi serb duhet të jetë krenar me veteranët si gjenerali Llazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës.

Pa shpalljes së aktgjykimit kundër Ratko Mlladiqit, ish-shefit të Armatës së serbëve të Bosnjës, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se dënimi i Mlladiqt ishte i «pajustifikueshëm».

«Një ndër qëllimet e Tribunalit të Hagës ka qenë të përkrahë pajtimin në Ballkan dhe të kundërshtojë mosndëshkimin e shkeljeve më serioze të të drejtave të njeriut.

Por Serbia – e parë si agresore në luftëra dhe e akuzuar nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për krime në shkallë më të lartë dhe më të organizuar se çdonjëri nga armiqtë e dikurshëm – kurrë nuk e ka pranuar përgjegjësinë për krimet e kryera në emër të serbëve», shkruan «New York Times».

Gazeta i referohet analistëve politikë, të cilët thonë se Serbia po kthehet pas në ditët fatale të viteve ’90.

E përditshmja amerikane përkujton afrimin në rritje të Serbisë me Rusinë, ndërkohë që qeveria në Beograd thotë se synon të anëtarësohet në BE.

Zyrtarë të Brukselit e kanë akuzuar Serbinë për lojë të dyfishtë, ndërsa diplomati i lartë amerikan Hoyt Brian Yee takoi presidentin Vuçiq dhe i tha se Serbia nuk mund të rri ulur në dy karrige njëkohësisht.

Kjo deklaratë u prit me tërbim nga zyrtarët serbë. Serbia, nënvizon «New York Times», është vendi i vetëm jashtë ish-republikave sovjetike që ka një marrëveshje për tregti të lirë me Rusinë.

Serbia po ashtu mban qëndrimet më proruse se çdo vend kandidat për anëtarësim në BE, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë. (dp)

1 komente në “«New York Times»: Serbia kurrë nuk mori përgjegjësi për krimet e kryera në emër të serbëve”

  1. like says:

    dhe pastaj mblidhet elita e politikes europiane dhe dikton/kerkon dialog mes shqiptareve dhe serbise. njesoj sikur ti thuash viktimes te ulet e bisedoje me serial killer, ky i fundit pa treguar as nje shenje korrigjimi, por vetem qe ka leshuar armen.
    edhe sikur te mos kete kurre me qellim te sulmoje shqiptaret, a eshte dinjitoze qe serbet te ulen si te barbarte me shqiptaret? Ata jo vetem qe u kane borxh shqiptareve qindra vjet roberi, por edhe gjakun e nderin e perdhosur me 1999. A mund tu kerkohet shqiptareve te ulen si inferiore ne bisedime me serbet? Nuk u paska dale frita aroma shqiptareve ta negrene koken drejt per ta pare te verteten ne sy, por ecin ekoma kokeulur siç benin edhe kur shkonin ne Hage per tu ballafaquar me monstren me 7 koke?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje