Pas shkarkimit nga drejtimi i skuadrës së Partizanit, Mark Juliano është rikthyer të flasë për mediat italiane
Italiani ishte i ftuar në “Sky Sport 24” ku ka analizuar situatën në kampionatin Italian. Ish lojtari i skuadrës së Juventusit, tha se Interi nën drejtimit e Spaletit është i njëjtë me atë të Murinjos.
“Interi po punon në heshtje, por po arrin që të marrë pikë dhe ka rigjetur grupin. Spaleti po punon në një mënyrë të ngjashme me Murinjon, i cili merrte të gjithë vëmendjen mediatike. Ai është komandanti i anijes, flet pak për lojtarët dhe më shumë për punën e tij. Ka disa ngjashmëri me Murinjon dhe nëse arrin ta bëjë deri në fund, ky mund të jetë viti i Interit.
Ikardi është një sulmues i madh, por kur luaja unë, në Itali aktivizoheshin futbollistët më të mëdhenj. Interi i Ronaldos, Fiorentina e Batistutës, Parma e Krespos, Kanavaros dhe Bufon. Më pëlqen shumë Mauro Ikardi dhe puna që po bën për të ndihmuar skuadrën. Ai është shumë i rrezikshëm në zonë dhe gabon pak, ndaj besoj se mund të thyejë rekordin e Higuainit”, tha ish-trajneri i Partizanit.
Më tej ai ka treguar dhe një histori interesante me ish-teknikun e Interit, Hektor Kuperin, të cilin e pati kundërshtar në Serinë A dhe më pas trajner te Majorca.
“U ritakuam te Majorca, ku ai ishte trajneri dhe më thoshte se më urrente, për historinë e 5 majit. Më thoshte se kisha bërë që të humbte shumë para, por unë i përgjigjesha se shkaktar ishte ai vetë, që hoqi Ronaldon në sfidën me Lacion”, u shpreh Juliano