REPORTAZHI: Makthi i një nate morti në rrugën Tiranë-Durrës

2 Dhjetor 2017, 18:20Sociale TEMA

Nga Andrea Danglli, TemA

Autobusi i parafundit i linjës Tiranë – Durrës sapo kishte mbyllur dyert dhe po dilte nga terminali për të marrë rrugën drejt qytetit bregdetar. Munda ta arrij në kohë veç përmes një nxitimi teje të shpejtë, pa respektuar dritën e asnjë semafori.

Fatmirësisht nuk morra ndonjë ndëshkim të kripur si kalimtar, por të sharat që dëgjova nga drejtuesit e mjeteve ishin gjoba më e rëndë që mund të parashikojë ndonjëherë kodi rrugor. Reshjet nuk kishin pushuar gjithë ditën ndërsa unë tashmë po ndjeja se si dilet nga centrifuga, ku çadra ime e vogël nuk më shpëtonte dot nga e lagura.

Ora 6:30-7:00 është orari i parafundit që linja ka vendosur mjet transporti për të përshkuar segmentin Tiranë-Durrës dhe shoferët e quajnë me shaka si rruga e studentëve për shkak se në këtë orar kthehet numri më madh i të rinjve që ndjekin arsimin universitar.

Sidoqoftë munda të arrij në kohë pavarësisht kostos. Veç kur ngjita shkallët e autobusit fillova të marr frymë plotësisht.

Fatorino një burrë disi i shëndetshëm në paraqitje, më udhëzoi të ulem në një ndenjëse boshe përpara se të shkosh në fund të automjetit.

Zura vend me kujdes pasi në krah të kolltukut dremiste një plakë e vjetër dhe m’u dhimbs që ta zgjoj me zhurmën e hapave të mi.

Kisha kohë pa shkuar në shtëpinë e prindërve në Durrës dhe me urdhër të babait dhe ultimatumin e nënës, ditën e “Shën Andrea’s” nga kam marrë emrin, do ta festoja bashkë me ta.

Qetësia që sundonte në autobus e prishej hera-herës nga ndonjë dialog me zë të lartë dhe nga pikat e shiut që përplaseshin mbi xhame.

Një moment fatorino njofton me zë të lartë se autostrada kryesore është bllokuar dhe do duhet që të hyjmë në segmentin alternativ të këtij aksi. Dashur pa dashur nisën polemikat dhe psherëtimat që trazuan gjendjen nga fillimi në fund.

Se mohoj që edhe mua më erdhi keq pasi do më hante disa minuta nga koha ime me familjen. Gjithsesi është e vështirë të dalësh kundër vullnetit të natyrës kur ajo të orjenton atje ku do.

Dalëngadalë, automjeti mori kthesën dhe ju drejtua rrugës dytësore e cila ngjante si një labirint i errët që nuk dihej si do ta kishte fundin. Përshtypja e parë s’mund të na zhgënjente këtë herë.

Mes atyre të rinjve, veç zonja e moshuar dukej më pak e shqetësuara për drejtimin e autobusit ku ca nga vitet dhe ca nga përgjumja, donte t’i tregonim veç kur të mbërrinim që ta njoftonte të birin për ta pritur.

Autobusi fillimisht ecte shpejt, pastaj u ngadalësua dhe pas 6 km nisi të lëvizë si një breshkë e lodhur.

Niveli i ujit kishte depërtuar mbi kanalin ndarës të autostradës dhe rrugës dytësore. Fatorino në fillim na i bën me shenjë sikur dëshironte të thoshte se nuk kishte asgjë serioze. Në fakt nuk qe tamam kështu.

Dhjetëra makina të vogla ishin shuar buzë rrugës dhe nuk bënin dot më përpara. Shoferët e tyre porsa panë që hyri uji, nxituan të dilnin për të kërkuar ndihmë. Ne nuk e kishim ende pranë atë rrezik por e vetmja gjë që na alarmonte ishte paralizimi i trafikut. Hapësira për të shkuar përpara ishte 1 metra dhe hapësira për t’u zhvendosur prapa ishte po një metra.

Natyrisht që të gjitha rrugët me këto kushte të çonin drejt askundit. Menjëherë pas këtij bllokimi tentoj të telefonoj disa herë Emergjencat Civile të cilat për dreq nuk përgjigjeshin. Çudi por të gjitha tentativat rezultuan si të dështuara. Atëherë vendos që të kontaktoj me Policinë për të kërkuar një zgjidhje.

-“Alo, jam Andrea Danglli gazetar. Ka ndonjë informacion mbi zhbllokimin e rrugës dytësore Tiranë-Durrës,” pyeta zërin e operatorit i cili ma dha përgjigjen direkt: “Po, ka filluar lëvizja edhe besojmë se është në rregull!”

-“Po të flas nga terreni pasi gjendemi të bllokuar dhe jo nga redaksia e lajmeve!

Nuk e vrau mëndjen për gënjeshtrën që më sajoi për të manipuluar lajmin por vijoi me një sërë justifikimesh se si rrodhi gjendja dhe cili është operacioni i policisë në këtë rast.

Nuk mund të harxhoja atë pak bateri të telefonit me përralla kalorsjake që ai i rrëfente pa përtuar. Paniku ishte rritur ndjeshëm tek njerëzit. Së bashku me fatorinon dhe shoferinin po përpiqeshim të gjenim një zgjidhje për të sinjalizuar një kthim pas për ne dhe automjetet e tjera. Nuk funksionoi. Askush nuk dëgjonte, askush nuk reflektonte dhe askush nuk dinte se si të shpëtonte.

Të jem i sinqertë, kaluam mbi gjashtë orë duke u përpjekur që të sajonim vetë një lëvizje e cila paralizohej që sa autobusi lëvizte prej vendit. Nëse nuk do ta kisha parë të gjithë skenën e rëndë me sytë e mi, do mendoja se bëhej fjalë për ndonjë thashethem autobusi apo ndonjë fantazi filmi horror.

Jo, gjithçka e përjetova bashkë me 52 pasagjerë që nervat i lëshonin sekondë pas sekonde, minutë pas minute dhe orë pas ore. Teksa koha kalonte, niveli i ujit rritej ndjeshëm duke i kaluar 80 cm. Në autostradë shiheshin të dilnin nga errësira makina policie apo ndonjë kamion ushtrie. Gjithësesi në vargun e automjeteve mungonte një dorë për të bërë zhbllokimin i cili në sytë tanë ishte aq i thjeshtë ndërsa në sytë e autoriteteve një “Titanik”.

Për të mos mjaftuar stresi pengesës së madhe, rreziku i nivelit të ujit dhe e qara e një fëmijë, veshët tanë rriheshin gjatë gjithë kohës nga një debat militantësh që diskutonin aty fare pranë se PS është partia e përmbytjes, PD e shpëtimit dhe anasjelltas. Sa qesharake!

Ankthi shtohej dhe shpresa pakësohej. Kjo gjendje e kobshme nuk zgjati thjesht gjashtë orë të numëruara pasi askush nuk mund të kompesojë orët stresuese, ankthin e gjatë apo momentet e humbura. Teksa ora po ecte duke shënuar 01:20, një grup i Forcave të Armatosura dhe disa punonjës të Emergjencave Civile reaguan duke u përpjekur të orientonin autobusin prapa pasi zhvendosën makinat një e nga një.

Mbase dita ishte e ngarkuar për institucionet e emergjencës, por e kam të vështirë që t’i mirëkuptoj. Ata paguhen 364 ditë të tjera prej xhepit tonë për të ofruar një shërbim të vyer në një natë të kobshme si kjo.

Nuk mund të mirëkuptoj as ata që për 27 vjet kanë prodhuar vetëm kronika televizive duke na dhënë të hamë me lugë bosh. Pavarësisht reklamave të zbukuruara mirë, duhet thënë se infrastruktura hidrike është rrënuar si të ishim një vend i dalë nga lufta. Panorama e vendit nën ujë është kronika e një ngjarje të paralajmëruar sa herë që kemi ndjekur masakër pyjesh, barbari lumenjsh apo indiferencë institucionale.

U kthyem sërish në Tiranë pasi të gjitha rrugët që të çonin drejt Durrësit ishin të pamundura. Festa ime ngeli e shtruar mbi tryezë bashkë me ankthin e prindërve por ne do kishim padyshim një ditë tjetër. Dita ime ishte e papërfillshme kur mendon se mjaft njerëz të tjerë nuk përfunduan punët e tyre jetike.

Shumë individë u futën në kafe 24 orëshe, disa të tjerë morën taksi për të shkuar tek ndonjë i afërm, ndërkohë një pjesë tjetër u struk në qoshe të stacionit për të pritur agimin.

I shihja pa forcë dhe ndjeja ulërimën e tyre të brendshme që askush se dëgjonte. Makinat ktheheshin nga autostrada njëra pas tjetrës duke çarë errësirën me fenerët e tyre.

Nisa të eci pa e ditur se ku. Tirana ngjan e qetë natës. Dëgjohet vetëm rrjedha e ujit dhe zhurma e pikave të shiut që ngrenë fluska në rrugë.

Kryeqyteti ku përplasen mijëra halle dhe pak zgjidhje, po më jepte përshtypjen se e kishte vënë në gjumë agresivitetin e ditës për të mbajtur zgjuar vetëm udhëtarët e trishtuar të mesnatës.

4 komente në “REPORTAZHI: Makthi i një nate morti në rrugën Tiranë-Durrës”

  1. Lili says:

    Jo vetem ankesa,por edhe reflektim per situatat qe kane krijuar qeverite hajdute te Shqiperise.S jam enveriste por sistemet e kullimit dhe permbytjet ishin mirefunksionale.U prishen te gjitha ne emer te antikomunizmit dhe te gjithe harruan se ato ishin vepra madheshtore te ndertuara nga ne e breza te ndershem shqiptaresh.Natyra eshte me e fuqishme se ne.O njerez! Mblidhni mendjen e hajde te shpetojme jetet e, njerezve.Kjo eshte kryesorja.S behet politike sot.Sot duhemi ne.Shqiperia po mbytet Ne duhet ta shpetojme.Forca shqiptare te ndershem.

  2. Flamur says:

    Ça thua more gazetar, po shteti ishte në krye të detyrës, Gjiknuri jepte intervista nga një karburant ndërjohë që pak me tra lë tutje e priste Range Roveri, Rama nxori xhupat e Bajern dhe Juventus që i kishte blerë për këtë ditë dhe doli edhe ai në terren. Ankohesh për 6 orë të humbura dhe mund të kishe humbur dhe vetë. E rëndësishme është që tani do plasin tenderat e pastrimit, ndërtimit të urave dhe argjinaturave, do bëhet pare e madhe.

  3. faredini nga parajsa says:

    Andrea ka shume te drejte. Kush e di c’i kane pare syte ato ore. Une jam shume dakord qe me kriminelin Rama te parin, te shkojne ne gjyq per shperdorim detyre, korrupsion nga para, prapa, edhe ata qe ndertuan anash autostrades, ata qe i lejuan ne emer te pushtetit lokal, nga Tirana deri ne Durres dhe te gjithe ministrat e transportit nga viti 2000 deri tani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje