Bllokimi i afrikanëve nga Kosova, Skënderbeu: Në Shkup dhe Stamboll s’na e kanë bërë këtë

9 Dhjetor 2017, 14:25Sport TEMA

Ishte krejtësisht e papritur ajo që i ndodhi Skënderbeut dje në Aeroportin e Prishtinës, gjatë kthimit nga Zvicra. Dy lojtarët afrikanë, Nimaga dhe Demte, nuk u lejuan të futen në Kosovë dhe Policia vendase i ka nisur direkt me avion për në Bazel.

Autoritetet kosovare, pavarësisht këmbënguljes së drejtuesve të Skënderbeut, vepruan me shpejtësi dhe dy lojtarët fluturuan sërish drejt Zvicrës.

Zyrtari i klubit korçar, Enea Zhidro, sqaron për “VIP SPORT” çfarë ndodhi konkretisht në Aeroportin e Prishtinës: “Ishte hera e parë që na ndodh një problem i tillë. Në Aeroportin e Prishtinës nuk na lejuan kalimin e lojtarëve tanë Nimaga dhe Demte. Na u tha se duhej të kishin vizë me shumë kalime dhe jo me një kalim, ndërkohë që për ne Kosova ishte tranzit.

Kemi udhëtuar më parë në të njëjtën mënyrë nga Shkupi dhe nga Stambolli dhe askush nuk e ka nxjerrë këtë problem. U përpoqëm t’ua shjegonim personave përgjegjës situatën, duke u treguar lejen e qëndrimit në Shqipëri për dy futbollistët në fjalë dhe kontratën e punës me ta, por ata ishin shumë të sertë.

Mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka dogana dhe një problem i tillë nuk u duk absurd. Ndoshta ligji mund të jetë ashtu, por ne mbetëm të shtangur në atë moment, pasi na nxorrën jashtë, kurse Nimaga dhe Demte ikën sërish në Bazel me avion. Sot të dy lojtarët do të vijnë në Rinas me avion. Nuk e kuptuam atë qëndrim të palës kosovare, por e përsëris se u gjendëm të papërgatitur, sepse në Maqedoni dhe Turqi nuk na e kanë nxjerrë si problem”, – bëri të ditur zëdhënësi i klubit korçar, Zhidro.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje