Flamurtari nuk arriti të përmbys rezultatin në ndeshjen ndaj Laçit. Ndeshja e shtyrë në ditën e djeshme, për shkak të fushës së rënduar nga ana e shiut, nuk solli asgjë të re në ndeshjen e sotme.
Në këtë takim vendos një penallti shumë e dyshimtë në favor të Laçit, që vendosi rezultatin 0-1 në favor të miqve ndaj Flamurtarit. Në një intervistë për “Supersport”, Shpëtim Duro komplimenton skuadrën e Flamurtarit, dhe e cilëson arbitrin e ndeshjes si një “kamikaz”.
Ndeshja kundër Laçit
“Janë dy tablo të ndryshme sa i përket ndeshjeve. Dje nuk ishte terreni i duhur për të zhvilluar një takim futbolli, ndryshe nga sot. Skuadra mbajti gjithmonë ritmin e duhur dhe vendosja e një kamikazi në gjykim, prishi gjithçka.
Paraqitja e Flamurtarit
Skuadra luajti në të gjitha aspektet, përveç rezultatit meriton notën 10. Megjithatë nuk jam aspak i shqetësuar nga rezultati, pasi loja e skuadrës ishte ajo që unë prisja.
Arbitri
Nëse arbitri akordoi një penallti të tillë si ajo në favor të Laçit, atëherë duhet të jepte një penallti për ne në rastin e Xhufos apo Alveshit. Mendova se sot arbitri do të ishte më korrekt, por në fakt ai ishte me një qëllim në këtë takim, kundër Flamurtarit ose në favor të Laçit. Nuk është përzgjedhje rastësore arbitrimi i ndeshjeve për Flamurtarin nga ana e këtyre arbitrave
Gjykimi i arbitrave kundër Flamurtarit
Me atë që kemi zhvilluar në fushën e lojës, ne do të ishim pranë Skënderbeut. Nëse do të kishim pasur një gjykim korrekt, atëherë do të gjendeshim shumë pranë kryesimit. Përzgjedhja e arbitrvae nuk është rastësore, por Laçi dhe Kukësi i kërkojnë vetë arbitrat”, është shprehur Duro.
Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, mendon se skuadra e tij duhet të vazhdojë të qëndrojë me këmbë në tokë pas fitores që e ngjit përkohësisht në zonën e Europës. Në fjalët e tij në “SuperSport”, ai komentoi edhe penalltinë që i dha suksesin skuadrës së tij.
Për fitoren e sotme
“Sigurisht jemi të kënaqur për këtë fitore, na ka bërë mirë, e rëndësishme është të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë. I kemi lojtarët të rinj dhe kjo është sfida kryesore. Ishin dy ditë për tre pikë, e gjithë nata e mbrëmshme, dita e sotme nga ora 8 deri tani ishte një makth, se kishim diçka për të humbur. Dua të falënderoj çunat për këtë fitore të mrekullueshme dhe duhet t’i kënaqemi dhe të mbetet këtu pasi duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”.
Për zhvillimin e ndeshjeve në dy ditë
“Isha i mendimit të luhej dje, por ishte e pamundur të luhej, padiskutim ishte thjesht dëshirë. Kjo shtesë mendoj se i bënte më mirë Flamurtarit. Faktori kohë dhe fushë ishte për të dy palët njëlloj, mendoj se kemi bërë një ndeshje të ekuilibruar”.
Objektivat e skuadrës
“Normalisht nuk mund të mohoj që jam i kënaur, por nuk i mendoj këto gjëra, i lexoj pak gazetat se u kam sugjeruar edhe çunave të mos lexojnë, por të punojnë për të bërë më të mirën. Por është kënaqësi pa diskutim”.
Për penalltinë
“Të them të vërtetën, të jem i sinqertë, në momentin e parë nga distanca nuk e shihja dhe kjo është ajo që u kam thënë gjithë vlonjatëve sot gjatë paradites. Nga pankina shihet vetëm veprimi i mbrojtësit. normalisht kishte një kontakt, ndërsa linja nuk dukej. E kam parë edhe dje e sot, mendoj se do të ishte më e udhës që mbrojtësi me aq eksperiencë të mos bënte kontakt të tillë. Nëse është një pozicion brenda apo jashtë, gjyqtari ishte më afër dhe e ka parë më mirë, reagimi i Xhajës e tregon, mendoj se duhet të jetë penallti, Ndoshta më shtyn ta them kështu se është në favorin tonë, na janë mohuar edhe ne penallti, po ashtu vendosi gjyqtari dhe është e kotë të diskutoj. Jam trajneri i Laçit, edhe të mos ishte do të thosha që ishte”.