Flamurtari e mbyll në fushën e Kamzës këtë vit kalendarik dhe sigurisht që objektivi është fitorja, por të gjithë në kampin vlonjat e kanë të qartë se do të jetë shumë e vështirë.
Trajneri Shpëtim Duro ka folur sot para gazetarëve në lidhje me ndeshjen e nesërme, ku ka theksuar se kundërshtari është për t’u vlerësuar maksimalisht. “Kamzën nuk e shikoj aspak nga pozicioni që ka në tabelën e renditjes. Mjafton fakti që ka lojtarë me shumë përvojë në Superligë. Ka bërë ndeshje të mira dhe e vlerësojmë maksimalisht, por kuptohet që kemi objektivin tonë për fitore”, – u shpreh trajneri kryeqytetas i vlonjatëve, të cilit i është prishur humori nga ajo që po i ndodh me gjykimin skuadrës së tij.
Gjykimi
“Në karrierën time ky është një rast rast unikal me gjykimin. Ka ndodhur më parë që më kanë penalizuar apo edhe ndihmuar gjyqtarët me vendimet e tyre, kurse tani me Flamurtarin është ndryshe. Janë gabime sistematike dhe kjo u vërtetua përfundimisht në ndeshjen me Laçin, ku gabimet që u bënë nga gjykimi nuk ishin profesionale”.
Merkato
“Nuk i kam qejf ndryshimet e shumta në merkaton e dimrit. Por po shohim dhe do të thosha se do të marrim lojtarë vetëm nëse unë i njoh mirë. Po shohim 2-3 lojtarë.”
Pas ndeshjes me Kamzën, lojtarët e Flamurtarit do të shpërndahen dhe do të kthehen në Vlorë më 3 janar, kur do të nisin minifazën përgatitore të dimrit.