Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Ivan Fushtar do të jetë futbollist i skuadrës së Partizanit deri në fund të këtij sezoni futbollistik, por edhe në sezonin e ardhshëm.
Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se klubi kamzali ka pranuar ofertën prej 40 mijë eurosh të skuadrës së kuqe, madje ajo është paguar dhe lojtari do të luajë ndeshjen e fundit me Kamzën të premten ndaj Flamurtarit.
Më pas, futbollisti do të kalojë edhe festat e fundvitit me familjen e tij dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit Starova në fazën përgatitore që të kuqtë do të zhvillojnë në janar në Antalia të Turqisë.
Mbrojtësi 28-vjeçar është kërkuar me ngulm nga stafi teknik i Partizanit dhe drejtuesit kanë shpejtuar të mbyllin marrëveshjen me Kamzën, që kishte në pronësi edhe kartonin e tij.
Ditët e fundit, bisedimet mes palëve mësohet të kenë qenë intensive dhe në fund Partizani ka paguar.
Fushtar është blerja e tretë e të kuqve ende pa u hapur merkato e janarit, pasi më parë kanë prezantuar Telushin, i cili u kthye nga Kroacia, si dhe kanë mbyllur marrëveshjen me sulmuesin që luan në Maqedoni, Lukas Kardozon.
Gjithashtu pritet të firmosë edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaçi që vjen nga Superliga kosovare.
Në garë për të marrë shërbimet e kroatit që ka luajtur edhe më parë në Kategorinë Superiore me Flamurtarin ishte edhe Skënderbeu, por duket se dëshira e Fushtar për të vazhduar jetën në kryeqytet, ka bërë që ai të zgjedhë Partizanin.
Edhe pse Kamza ka dëshiruar që ta mbajë futbollistin në përbërje, oferta e majme dhe këmbëngulja e dy klubeve financiarisht të fuqishëm ka bërë që drejtuesit të binden për të shitur kartonin e tij.
Dhe mes dy ofertave që i janë paraqitur, futbollisti mësohet se të ketë zgjedhur Partizanin, ku natyrisht gara për një vend në formacion do të jetë mjaft e madhe duke parë edhe alternativat që ka në dispozicion trajneri Starova.
Me ardhjen e Fushtarit, të kuqtë mbyllin përfundimisht çështjen e qendrës së mbrojtjes, ku aktualisht janë katër lojtarë, edhe pse për Gëzim Krasniqin është folur se mund të ketë një largim të mundshëm pas ofertave të marra.
Nuk duhet të harrojmë se në janar rikthehet nga faza e gjatë e rikuperimit edhe Arbnor Fejzullahu dhe me afrimin e Thaçit do të blindohet krahu i djathtë i prapavijës.