Humbja me Luftëtarin nuk kalon pa pasoja në klubin e Kukësit ku nis vala e parë e tërmetit në radhët e kampionëve.
Pak ditë pas deklaratës së presidentit Safet Gjici në Supersport ku theksoi se në skuadër do të ketë ndryshime, vijnë edhe vendimet e para drastike të numrit 1 të klubit që ka ndërprerë kontratat me tre futbollistë. Krkotic, Memini e Shtubina nuk do të jenë më pjesë e Kukësit duke u larguar nga skuadra menjëherë pas disfatës më Luftëtarin që shkaktoi një gjenjde kaotike në radhët e kampionëve, të cilët po kalojnë një moment shumë të vështirë.
Mesfushori malazez, Krkotic u bashkua me Kukësin në fillim të këtij sezoni ashtu si edhe Shtubina, ndërsa mbrojtësi Memini luante prej 3 sezonesh me fanellën e skuadrës verilindore.
Me shumë mundësi, vala a ndryshimeve do të vazhdojë ta trazojë skuadrën e Kukësit ku në pikëpyetje të madhe mbetet edhe trajneri Mladen Milinkovic, fati i të cilit mbetet në duart e presidentit Gjici pasi skuadra e tij e mbylli këtë vit me 12 pikë më pak se kryesuesit e Skënderbeut, shumë larg objektivave të vendosura në fillim të sezonit.