FOTOT: "Babagjyshi vjen nga lumi Osum", Ministri Klosi feston me fëmijët e familjeve që u përmbytën në Berat

28 Dhjetor 2017, 16:42Sociale TEMA
FOTOT: "Babagjyshi vjen nga lumi Osum", Ministri Klosi feston me

Një muaj më parë, u përmbytën nga lumi Osum, ndërsa sot prej lumit vjen festa e fundvitit, me babagjyshin dhe dhuratat në varka, për të gjithë fëmijët e familjeve që u prekën nga përmbytjet në qytetin e Beratit.

Në këtë atmosferë festive, fëmijët festuan së bashku me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosin i cili dha mesazhin e festave për më shumë përkujdesje nga fëmijëve, por edhe ndaj Mjedisit për të siguruar një jetë të shëndetshme për të gjithë.

‘Berati ka një pasuri shumë të madhe që është lumi Osum dhe prandaj menduam që babagjyshi të vinte nga lumi këtë herë edhe pse lumin e pastruam para dy javësh dhe sot jemi në një ambient shumë më të pastër dhe menduam që me fëmijët që jetojnë më pranë lumit dhe që  ka qenë një komunitet që u përmbyt nga ardhja e fuqishme e lumit para pak javësh ne sot bëjmë një festë, shpërndajmë dhurata dhe po ashtu kalojmë një drekë të këndshme me ta.

Ajo që do të donim të bënim thirrje si një mesazh më të më fortë është një mjedis më i pastër, një investim përsa i përket Mjedisit, për të mbjellë më shumë pemë, për të shpëtuar këta fëmijët dhe familjet e tyre nga përmbytja “ tha ministri Klosi i cili më pas vijoi festën me fëmijët duke shpërndarë dhuratat e përgatitura.

Ministri Klosi festoi gjithashtu edhe me të moshuarit në qendrat sociale Poliçan dhe Berat duke përcjellë mesazhin për një përkushtim më të madh nga të rinjtë dhe drejtuesit e qendrave ndaj moshës së tretë.  Në Qendrën e të Moshuarve në Poliçan ministri Klosi tha: “Më vjen shumë mirë që një festë e nisur para dy vitesh bëhet tani traditë që në çdo datë 28 dhjetor ka një festë të madhe në të gjithë Shqipërinë, për njerëzit që kanë nevojë për të qenë së bashku me shoqërinë.

Qeveria ka marrë edhe një vendim shumë të rëndësishëm për shpërblimet për festat e fundvitit por edhe bashkia nga ana e saj ka marrë të gjitha masat që ky Vit i Ri t’ju gjejë ju më mirë dhe me kushte më të mira”- tha ministri Klosi i cili vuri në dukje punën mjaft të mirë të stafit të qendrës duke theksuar se:“Kjo është një familje e madhe, një familje e cila ka nevojë për përkujdesje, ka nevojë për gëzim dhe për shumë dashuri.

Prandaj nën moton “Festat duan dashuri” unë do të doja që t’ju uroja “Gëzuar Vitin e Ri” dhe viti që vjen të jetë një vit me sa më shumë qetësi, pa halle dhe probleme shëndetësore për ju dhe me më shumë përkujdesje nga vetë qendra por edhe nga bashkia Poliçan”- u shpreh ministri duke premtuar se deri në fund të vitit do të jetë pranë të moshuarëve për të festuar së bashku.

Më pas kreu i Turizmit dhe i Mjedisit festoi me të moshuarit pranë qendrës së përkujdesit në qytetin e Beratit dhe u kërkoi të rinjve që të kalojnë kohën e lirë me të moshuarit.

“Jo vetëm në Berat kemi nevojë që mosha e tretë të rrinë të gjithë së bashku dhe të kenë një shërbim më ekstra por edhe në të gjithë qarkun ne duhet të krijojmë modele si ky që të gjithë të kemi mundësinë që të ndajmë së bashku kohën e lirë.

Ndaj kjo le të jetë një festë e cila të përsëritet jo vetëm kur është Viti i Ri, por një festë e cila do të duhet të përsëritet çdo muaj apo më shpesh  që të kemi mundësinë që të përjetojmë njdesin e një qyteti kaq të bukur si Berati.

Jemi sot me ju këtu për të dhënë dhe për të marrë shumë më tepër dashuri nga të gjithë ju njerëz që keni jetuar, keni eksperiencë dhe keni shumë gjëra për të ndarë me brezin e ri.”- mbylli fjalën e tij ministri Klosi i cili më pas shpërndau dhuratat e përgatitura enkas për ta.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje