Tirana po “zien” në ditët e fundit të vitit. Edhe pse skuadra është shpërndarë, për drejtuesit nuk ka pushime. Ata vazhdojnë negociatat për hyrje-daljet në merkato, pasi duan që në fillim të janarit ta kenë organikën e plotë.
Prioritet po u jepet shitjeve, ndërsa klubi kërkon që të bëjë transferime të bujshme edhe këtë sezon duke mbushur rrjedhimisht arkën.
Albi Doka dhe Erion Hoxhallari janë në “epiqendër” të bisedimeve. Për të parin klubi nuk ka ndër mend që ta lërë të lirë pa 250 mijë euro, ndërsa për të dytin pret ende ofertën e duhur financiare.
Por duhet thënë që veç vendeve europiane, interes ka edhe nga ekipet fqinje.
HOXHALLARI Gazeta “Panorama Sport” zbulon se për llogari të mbrojtësit të linjës së djathtë është vënë në radhë edhe Shkëndija e Tetovës. Paçka se mungon oferta konkrete, pra, e depozituar me shkresë në klubin bardheblu, mbrojtësit i kanë çuar fjalë.
Por duhet thënë që është e vështirë që të ketë një marrëveshje, pasi me këtë lojtar po merret ekskluzivisht presidenti Refik Halili.
Ky i fundit po mundohet që ta “joshë” për rinovimin dhe nëse rast shitjeje, lëvizja do të bëhet vetëm jashtë vendit, atje ku do të ofrohej ndonjë shumë e majmë financiare, për të mos thënë që i kanë vendosur të njëjtin çmim si Dokës.
Dhe sigurisht, as në Shqipëri dhe as në Maqedoni, vështirë se gjendet ndonjë ekip i gatshëm që të paguajë kaq shumë për të siguruar shërbimet e një mbrojtësi. Gjithsesi, ditët e ardhshme mund të jenë përcaktuese për Hoxhallarin.