Askush nuk e kishte menduar se ish-kapiteni i skuadrës së Partizanit, Nderim Nexhipi mund të ishte në një pozicion drejtuesi te skuadra e Kukësit, ndërkohë që të gjithë e prisnin që ai të ishte në klubin e kuq, gjë të cilën ish-futbollisti e ka pranuar edhe vetë.
Kohët e fundit Nexhipi kishte nisur rrugën e menaxhimit të lojtarëve dhe ka lobuar te presidenti Safet Gjici që në krye të skuadrës të emrohet Zekerija Ramadani, trajneri që ka drejtuar në të kaluarën Flamurtarin.
Presidenti i Kukësit, Gjici i ka dhënë Nexhipit pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të kloubit, gjë të cilën ai mësohet ta ketë pranuar.
Nexhipi pritet të ketë një punë të vështirë në krye të verilindorëve, pasi Gjici njihet për temperamentin e tij shpërthyes dhe kërkon me çdo kusht të marrë rezultate. Me ardhjen e Nexhipit në krye të klubit, është pothuajse e sigurtë se Ramadani do të ulet në stol.