Thoma Strakosha arriti që të shkëlqente sërish në sfidën e fundit të këtij viti kundër Interit që përkoi dhe me ndeshjen e tij të 50-të me fanellën e Lazios.
Gardiani i kombëtares shqiptare ishte lojtari më i mirë për skuadrën bardhekaltër pasi me pritjet e tij bëri që Lazio të merrte një pikë në duelin kundër zikaltërve.
“Jam i lumtur që kam bërë 50 ndeshje me fanellën e Lacios time, por mbetet keqardhja që nuk fituam. Do të kishim merituar diçka më shumë, por edhe një pikë në përballjen direkte jashtë fushe është e rëndësishme. Kjo keqardhje pas ndeshjes të lë të kuptosh që duam të fitojmë kudo, ndaj të gjithëve, edhe pse në ‘San Siro’ nuk është e lehtë. Cila ishte pritja ime më e mirë? Ajo ndaj Perishiç!”
Strakosha komentoi dhe sistemin VAR për të cilin theksoi se i ka hequr emocionet e lojës.
“Trajneri Inzagi ka të drejtë për VAR-in, i heq patosin dhe emocionin që ka karakterizuar gjithmonë këtë sport. Kur bën gol nuk feston më, pret që të zyrtarizohet. Nëse të japin një penallti, pret. Futbolli ishte i bukur për episodet, të drejtë apo të gabuar qofshin”, u shpreh Strakosha. (TemA)