Merkatoja e janarit është zyrtarisht e hapur prej tre ditësh në vendin tonë. Ekipet e Superiores, por edhe ato të Kategorisë së Parë kanë nisur të përforcohen me lojtarë të ndryshëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.
Jo më larg se dje, Kukësi zyrtarizoi stafin e ri teknik dhe afrimin e mesfushorit Shkodra.
Një lëvizje pritet ta kryejë edhe Vllaznia këto ditë dhe nuk përjashtohet që goditja e parë në merkato të vijë që sot. Siç është njoftuar Xhevahir Sukaj pritet vetëm të hedhë firmën mbi kontratën e re që do e lidhë me ekipin e Vllaznisë, të paktën deri në fund të këtij sezoni.
Por, shkodranët janë në kërkim edhe të paktën të një mbrojtësi. Ky repart vijon të jetë problematik për trajnerin Gjoka që ka kërkuar perforcime në janar.
Burime të sigurta pranë Shkodra.News bëjnë me dije se është menduar një shkëmbim “kokë me kokë” më lojtarë të dy skuadrave. Bëhet fjalë për mesfushorin e Vllaznisë, Ardit Krymi dhe mbrojtësin e Kukësit, Albi Alla. Ky i fundit ka qenë edhe më parë nën drejtimin e Gjokës tek ekipi i Kukësit, dhe trajneri i Vllaznisë e njeh mjaft mirë mbrojtësin Alla.
Nga ana tjetër, spostimi në mesfushë i Orelesit do të shtonte një tjetër alternativë në këtë repart te ekipi i Vllaznisë, duke pasur parasysh edhe lojtarët e tjerë si: Tafili, Bardulla, Vucaj, Lika.
Edhe pse Krymi konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të Vllaznisë, ai mund të jetë largimi i dytë pas mesfushorit tjetër Edon Hasani. Kësisoj, Krymi do të bëhej “kurban” për afrimin e një mbrojtësi pranë ekipit të Vllaznisë. Por, sa do të ndodhë një lëvizje e tillë mbetet për tu parë në ditët në vijim. Merkatoja e dimrit sapo ka nisur….