“Zjarr dhe furi: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”.
Kështu titullohet libri me autor Michael Wolff, i cili ka zbuluar disa dekrete të jetës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Libri i dalë së fundmi, bazohet në mbi 200 intervista.
Në të përfshihen edhe biseda me presidentin Trump, por dhe me stafin e tij kryesor.
Mediat kanë publikuar disa pjesë nga ky libër, i cili nuk është ende në shitje.
Në të flitet për marrëdhënien e afërt të Trump me Steve Bannon, me të cilin, sipas autorit, presidenti amerikan hante darkë çdo mbrëmje, në orën 18:30.
Në rastet e rralla kur Trump nuk darkonte me Bannon, ai shkonte në rezidencën e vet dhe hante çizburger në krevat.
Kur hante vetëm, shihte tre televizione njëherësh, në tre ekrane të ndryshme.
Natyrisht, duke i sharrë ato dhe gjithë mediat, ndërsa fliste në telefon me miqtë e tij.
Në libër thuhet se Trump ka frikë se mos e helmojnë.
Për këtë arsye, ai ka këshilluar stafin e vet që të mos prekë asgjë, sidomos furçën e dhëmbëve.
Madje, ai e rregullon vetë krevatin e gjumit dhe iu thotë shërbyeseve se ku duhet t’i lënë çarçafët.
Trump, sipas autorit të librit, iu ulërinte pastrueseve që përpiqeshin të vendosnin rregull në dhomën e tij të gjumit: “Nëse këmisha ime është në dysheme, është për shkak se dua të jetë në dysheme”.
Nga frika se mos e helmojnë, Trump preferon që të hajë McDonald’s.
Kjo, për shkak se kur ti porosity ushqim të shpejtë, askush nuk e di se ku do shkojë porosia, dhe kështu, sipas logjikës së Trump, ushqimi është i sigurtë.
Në libër thuhet se Trump besonte se marrja e emërimit si kandidat presidencial do t’i rriste emrin dhe do t’i ofronte “mundësi të papara”, por ai nuk besonte kurrë se do të arrinte të fitonte garën për t’u zgjedhur president.
Sipas dëshmisë së një miku të djalit të Donald Trump, ai i kishte thënë se i ati i tij dukej sikur i kishte dalë përpara fantazma kur u bë e qartë se mund të fitonte.
Ndërsa Melania “kishte në sy lot dhe jo gëzim” nga fitorja e Trump.
Për momentin, nga Shtëpia e Bardhë nuk ka asnjë reagim për vërtetësinë e fakteve të këtij libri.
I vetmi reagim që ka ardhur nga Donald Trump, ishte ai për ish-strategun Steve Bannon, për të cilin tha se e ka lënë mëndja, duke qenë se ky i fundit e quan “tradhti” takimin e djalit të Trump me rusët.
Në një fragment të librit, botuar nga gazeta Guardian, thuhet se zoti Bannon përshkruan një takim në Kullën Trump mes djalit të presidentit, Donald Jr, dhe një grupi rusësh.
Bannon e quan këtë akt si “tradhtar” dhe ”jopatriotik”.(TemA)