Nuk ka si të mos jetë i kënaqur trajneri austriak i Kukësit, Peter Pakult, për mënyrën si e ka nisur punë dhe gjendjen e skuadrës. Në tri miqësoret e Turqisë, Kukësi ka bindur dhe Pakult është mjaft entuziast për këtë fakt.
Në një prononcim për “TVSH SPORT” ai theksoi nga Turqia se gjithçka po shkon mirë, ndërkohë që pret edhe një afrim cilësor në ekip: “Jemi të kënaqur me ekipin dhe punën që po bëjmë. Jemi paraqitur mjaft mirë në ndeshjet miqësore dhe jam i kënaqur. Kemi bërë afrime, por dua të them se presim edhe një përforcim, presim edhe një lojtar tjetër cilësor në merkaton e dimrit”.
Kampionët në fuqi, falë edhe lidhjeve që ka drejtori i ri sportiv, Nderim Nexhipi, kanë marrë deri tani në ekip Donjet Shkodrën, gjeorgjianin Irakli Dzaria dhe mbrojtësin kroat Filip Zhderiç. Nuk dihet se për cilin repart do të jetë afrimi i fundit, por ka gjasa të jetë një sulmues. Këtë here kuksianët po tregohen shumë të matur në merkato.