Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, ka ftuar naftëtarët e Ballshit dhe Fierit që të aplikojnë për statusin e papunësisë, në mënyrë që të përfitojnë pagesë e papunësinë.
Duke folur para gazetarëve Ahmetaj deklaroi se qeveria është e angazhuar për të mbështetur naftëtarët, si dhe për të rivënë në punë rafineritë.
Reagimi i Ahmetaj vjen pas protestave të naftëtarëve të dy rafinerive, atë të Ballshit dhe Fierit pasi nuk kishin marrë pagat që nga muaji nëntor.
“Ftoj të gjithë naftëtarët që të aplikojnë për statusin e papunësisë, në mënyrë që ata punonjës që janë pa punë nga të dy rafineritë të përfitojnë pagesë e papunësinë.
Naftëtarët të cilët kanë mbetur të papunë do të marrin pagesën e papunësisë në bazë të ligjit.
Qeveria qëndron e angazhuar, e vëmendshme deri në detaje për të mbështetur çdo investitor serioz, që do të vijë me një projekt serioz për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit, apo një ofertë nga investitorë seriozë për zhvillimin e një biznesplani në sektor ku përfshin edhe vënien në punë të të dy rafinerive.
Qeveria është e angazhuar të jetë pranë naftëtarëve duke i ndihmuar me procedurat, duke i vënë në dispozicion zyrat e punës në mënyrë që ata të përfitojnë pagesën e papunësisë.
Dhe jemi në gatishmëri të vëmendshme deri në detaje për të mbështetur çdo iniciativë private për rivënien në punë të dy rafinerive”– deklaroi Ahmetaj. (TemA)