Dy prindër u arrestuan dje në Kaliforni, pasi policia gjeti të lidhur dhe të izoluar në shtëpi 13 fëmijët e tyre. David Allen Turpin, 57, dhe Louise Anna Turpin, 49 vjeçe, akuzohen për torturimin e fëmijëve dhe vënien e tyre në rrezik.
“Daily Mail” ka zbuluar detaje të jetës së familjes së madhe në Kaliforni. Një fqinjë e çiftit është shprehur se nuk e dinte qëajo shtëpi kishte fëmijë, ndërsa të tjerë janë shprehur se 13 fëmijët e çiftit ishin të zbehtë dhe të brishtë, saqë ngjanin si vampirë kur dilnin jashtë. Tezja e fëmijëve thotë pas zbulimit të këtyre fakteve i duket sikur po jeton brenda një ëndrre të keqe. Ajo thotë se motra e saj nuk është rritur në këtë mënyrë, ndërsa i shoqi vjen nga një familje e pasur.
Gjyshja e fëmijëve, Beey Turpin, thotë se prindërit i mbanin fëmijët në mënyrë të tillë për sigurinë e tyre. Ajo thotë se ata viheshin në rresht, në krye të të cilit qëndronte babai, ndërsa në fund nëna. “Ata janë shumë protektivë. Kjo është një familje shumë e respektuar”, thotë ajo.
Njëra prej fëmijëve, një 17-vjeçare, ia doli të arratisej duke u kacavjerrë nga dritarja dhe denoncoi gjithçka në polici. Disa prej fëmijëve të moshës 2-29 vjeç, u gjetën të paushqyer dhe të lidhur në krevatet e tyre.
Çifti thuhet se i çonin fëmijët në Disney, madje shpesh edhe i vishnin njësoj, si personazhet. Vajza që bëri denoncimin i dha policisë shumë foto që tregojnë jetën që ata bënin brenda shtëpisë. Policia konfirmoi se të 13 fëmijët janë bijtë biologjikë të çiftit.
Shtatë prej tyre po trajtohen në qendrën mjekësore të qytetit. Mjekët thonë se është e vështirë të besohet mosha e tyre, për shkak të kequshqyrjes dhe zhvillimit fizik të ngadaltë.(TemA TV)