Java ka nisur me lëvizje te Lushnja. Trajneri Hysen Dedja ka bërë të ditur se nga grupi i mëparshëm është larguar mesfushori pogradecar Hermes Shkullaku, i cili pati një aktivizim të kufizuar gjatë pjesës së parë të sezonit, për shkak të dëmtimeve të shpeshta.
Për afrimet, emrat që do t’i bashkohen Lushnjës në vazhdim janë Leonard Përgjini dhe rusi Khasan Khatsukov.
Por trajneri shkodran i skuadrës myzeqare ka pohuar se dëshiron të ketë në ekip edhe mbrojtësin vlonjat Valdo Zeqaj, i cili sapo ka ndërprerë kontratën me Luftëtarin.
Lushnja po përgatitet për ndeshjen me Teutën në Durrës dhe shqetësimi kryesor është dëmtimi i kapitenit Fatjon Sefa, për të cilin trajneri Dedja shpreson të rikuperohet në kohë.