Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilëson lajm të keq mungesën e opozitës në tryezën e sotme me temë “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”. Balla shprehet se e drejta e votës për shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe vënia në zbatim e reformës në drejtësi mbeten dy binarët kryesorë të punës së socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë.
“Garantimi votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë është themeli i Reformës Zgjedhore. Aleanca kundër Reformës në Drejtësi (Luli, Monika&co) është kundër!? Bojkoti i sotëm në tryezën e OSBE, lajm i keq. Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe e drejta e votës për shqiptarët jashtë Shqipërisë, janë binarët e punës tonë në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehet Balla në një postim.
Tryeza me temë “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, e organizuar nga ministri i Shtetit për Diasporën dhe OSBE, nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u mbajt paraditen e sotme. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha gjatë diskutimit të tij se duhet të diskutohet dhe të vendoset mbi sistemin i cili mundëson votimin e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit, por kanë të drejtë të votojnë në Shqipëri.
“Aplikimi i një sistemi që mundëson votimin e emigrantëve, pa qenë të detyruar të paraqiten në një qendër votimi, është një sfidë shumë e vështirë në kushtet e kësaj klime politike të tensionuar artificialisht. Besoj se kontributi i ekspertëve të paangazhuar, si dhe i OSBE, apo edhe i organizatave të tjera ndërkombëtare do të na ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje që ofron besim për të gjithë. Modelet në Europë dhe me gjerë nuk mungojnë në këtë rast”, tha ministri Xhafaj.(TemA TV)
Nuk duhet te votojme ne qe jemi jashte,me problemet kryesore te zgjidhura.Qeverine t’a zgjedhin ata qe rrojne ne Shqiperi.