Veliaj: UKT, kompania që performoi më mirë; Tirana injekton 500 milionë euro/vit në ekonomi

24 Janar 2018, 17:18Sociale TEMA
Veliaj: UKT, kompania që performoi më mirë; Tirana injekton 500

Kryebashkiaku Veliaj mori pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës – “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në edicionin e parë të Forumit Ekonomik të Tiranës, me temë “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale”, ku theksoi se falë mirëadministrimit të ndërmarrjes së UKT-së, jo vetëm që u kalua periudha e vështirë financiare në të cilën u gjend kjo ndërmarrje 3 vite më parë, por njëkohësisht janë rritur investimet dhe përmirësuar cilësia e shërbimit për qytetarët.

“Një nga kompanitë që po performon më mirë në Bashkinë e Tiranës është kompania e Ujësjellës-Kanalizimeve. Nuk besoj se ka, në historinë e vendit tonë në 27 vjet, një performancë të një kompanie që brenda një viti jo vetëm menaxhohet në mënyrë serioze, por del me fitim. Lind pyetja: Pse na duhen kreditë? Sepse nevoja për investime është disafish se fitimi ynë vjetor. Kemi dy mundësi, ose këtë fitim vjetor në 40 vitet e ardhshme ta investojmë dhe do të kemi ujë 24 orë dhe shërbime të tjera pas 40 vjetësh ose të kemi akses në tregje, që kjo mund të jetë një bursë ose në formë kredish apo partneritete të tjera financiare, ku t’i gëzojmë këto të mira”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Duke u ndalur edhe tek një tjetër projekt i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës, si kreditë e buta, të cilat i dhanë zgjidhje strehimit të një mijë familjeve në kryeqytet, por gjeneroi edhe rreth 60 milionë euro në ekonominë e kryeqytetit, Veliaj shtoi se faza e dytë do të nisë në shkurt. Gjithashtu, një tjetër reformë e ndërmarrë në kryeqytet është edhe ajo e parkimit publik, i cili është transformuar tërësisht, dhe sipas Veliajt, përmes të ardhurave që mblidhen po realizohen një sërë investimesh të rëndësishme për komunitetin, si korsitë e biçikletave dhe mbjellja e pemëve.

“Parkimi nuk ishte falas, por kishim një ekonomi të zezë. Kurse sot është kthyer në një nga kompanitë që sjell të ardhura për bashkinë. Një pjesë e madhe e gjelbërimit apo e korsive të biçikletave financohet nga kompania e parkimit”, tha kreu i bashkisë, teksa shtoi se bursa si “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE”, kanë potencialin për të ofruar instrumentet që i duhet bashkisë dhe kompanive publike për të rritur kapitalin dhe për të mundësuar investime që në të kundërt do të kërkonin shumë vite kohë.

Ndërkaq, Veliaj e vuri theksin edhe tek mundësitë që kanë qytetet për të ndikuar pozitivisht në ekonomi dhe në mënyrat për financimin e bashkive që mbiperformojnë. “Qytetet sot gjithmonë e më shumë po bëhen jashtëzakonisht aktive në terma të peshës dhe muskulit ekonomik që ushtrojnë. Projektet që kemi me partneritet publik-privat, me koncesion, projekte si ato që po bëjmë për shkollat e reja që do ndërtohen në Tiranë, kryeqyteti është sot përgjegjës për injektimin të rreth 500 milionë eurove në vit në ekonomi”, deklaroi Veliaj.

Një tjetër pikë në të cilën u ndal kreu i bashkisë ishte dhe nevoja për thithjen e më shumë financimeve për realizimin e projekteve të ndryshme. Veliaj propozoi vendosjen e një minitavani për bashkitë, të cilat performojnë më mirë, sikurse është edhe Bashkia e Tiranës për thithjen e më shumë financave për investime.

3 komente në “Veliaj: UKT, kompania që performoi më mirë; Tirana injekton 500 milionë euro/vit në ekonomi”

  1. Pellazgus says:

    mjaft mashtruat injorantat o gangstera me kostum e atlete addidas

  2. antonio says:

    Zoti Veliaj!
    Ju mashtroni kur deklaroni se keni rritur cilesine e sherbimit ndaj qytetareve te Tiranes persa i perket Ujesjellsit!
    Kam 10 muaj qe ankohem ne te gjitha instancat shteterore qe nga UKT,Bashkia Tirane (juve personalisht),ne kryemistri (zotit Rama personalisht),por asnje zgjidhje nuk kane bere!
    Se pari ju zoti Veliaj jo vetem nuk beni pritje populli,por as nuk merreni fare me ankesat tona!
    Rrogtaret tuaj ne UKT,Bashki e deri kryeministri,jo vetem nuk njoin ligjet dhe vendimet perkatese,por edhe i interpretojne ato sipas udhezimeve te “maliqit”!
    Kam kerkuar prej 10 muajsh shuarjen e kontrates me UKT,per arsye te largimit me pune e banim ne Kanada,por akoma edhe sot UKT nuk me ka dhene shkrese zyrtare per mbylljen e kesaj kontrate!
    Kjo eshte shkelje e nenit 659 te Kodit Civil pjesa per kontratat,por rrogtaret tuaj nuk e njohin!
    Se dyti,vazhdojne te me vijne faturat e ujit per pagesat e taksave vendore,pastrim,gjelberim dhe arsim,kur ne baze te vendimit nr.59/2015 te Keshillit Bashkiak te Tiranes keto pagesa u nenshtrohen vetem familjet dhe personat qe banojne dhe punojne ne teritorin e Bashkise se Tiranes!
    U dergova edhe kontraten e qerase se banimit,vertetimin e institucionit ku punoj ne Kanada,por askush nuk reagon!
    Qellimi i tyre eshte:
    -Te mbushim arken e shtetit edhe duke grabitur qytetaret ne shkelje te ligjeve!
    Por e keqja ketu qendron atje se te gjitha hallkat e zinxhirit administrativ te shtetit jane te keputura dhe as do t’ia dije njeri per hallet e qytetarit!
    Me qytetarin sic duket mbaruan pune sa e mashtruan me marrjen e votes,se per te tjerat nuk do t’ia dije njeri ne se je gjalle apo jo!
    Kryebashkiaku akuzohet se nuk ka dipllome te universitetit dhe une bindem ne kete akuze,duke pare z.Veliaj te bredhe neper Tirane,ne mbjellje per dite te pemeve,ne ndjekjen e koncerteve,spektaklet e Portokallise,shetitje me Ermal Mamaqit etj,por ne zyre kur ulet ky njeri e te njihet me hallet tona?
    Edhe Zogu e kishte nje njeri qe merrej me keto pune qe quhej Osman Gazepi,por rrogtaret e Bashkise as sa gjysma e tij nuk ndihmoje qytetaret!
    Sa vjet duhet te pres qe shteti shqiptar te njohe e zbatoje ligjet e veta dhe te mos me vjedhe mua akoma padrejtesisht?

    Mos keni qellim qe te na e nxirrni nga zemra atdheun tone,qe te heqim edhe shtetesine shqiptare dhe te sundoni ju grabitesit e tij!
    Prandaj ikin shqiptaret cdo dite se ketu nuk ka shtet fare!

  3. Cubi says:

    Reklame zoteri,reklame sa me shume,se keshtu rritet mireqenia e popullit!
    Cojeni pyllin ORBITAL deri ne Mars,packa se ne Yzberisht prej 27 vjetesh shteti nuk ka mbjelle qofte edhe nje fije bari!
    Me rruge te pashtruara,me gropa,me balte ne dimer e pluhur ne vere,me lukunine e qenve rrugace,me trotuaret qe mungojne,lulishte nuk ka,kende lojrash jo e jo,kopeshte e cerdhe per femijet shteterore nuk ka per 50 mije banoret tanemkur shumica jane cifte te reja me qera dhe femije te vegjel qe nuk dine ku t’i cojne!
    Ne pallatin tim jane 200 familje me rreth 1200 banore,50% e tyre jane femije te vegjel,por lal Eri nuk do te investoje ne Yzberisht se ketu nuk i behet reklame punes se tij!
    Hallal,lal Eri, beje detyren e brigadierit te komunales se per 1 milion banoret e Tiranes mendojne hajdutet dhe kriminelet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje