Në ditën e premte Superiorja do të rikthehet sërish, për të zhvilluar ndeshjet e mbetura të kampionatit pas përgatitjeve dimërore.
Vllaznia do të luajë ndaj Kukësit, në një nga ndeshjet që do të ketë vëmendje të veçantë gjatë kësaj jave. Në një prononcim për mediat, futbollisti i Vllaznisë, Gilman Lika, është shprehur se ekipi shkodran ka shumë arsye për të fituar ndaj kampionëve të Shqipërisë.
“Mendoj se gjendja e skuadrës është optimale sepse kemi zhvilluar një stërvitje intensive, ndërsa gjatë këtyre kohëve kemi filluar të mendojmë për sfidën e parë të sezonit.
Ndeshja ndaj Kukësit është shumë e fortë, por mezi jemi duke e prituar atë takim për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Lojtarët e ardhur e kanë forcuar Vllazninë. Optimizmin për fitore e bazoj tek puna që kemi bërë në stërvitje dhe cilësia që ka grupi në skuadër. Kemi shumë arsye për të besuar tek fitorja.
Ndërsa sa i përket tifozëve, shpresoj që ata të mos mungojnë në shkallët e stadiumit, sepse nëse ata janë të shumtë në numër, atëherë ky do të jetë një plus i madh. Normalisht që unë besoj tek fitorja dhe tifozët duhet të ndajnë të njëjtin mendim”, është shprehur Gilman Lika.