Të larguarit nga Vetëvendosja pas debateve që përfshinë anëtarësinë e saj po përgatisin themelimin e një subjekti të ri politik.Grupi i të dorëhequrve nga VV pritet që shpejt të zyrtarizojë formimin e një partie të re, në krye të së cilës mund të jenë Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe të tjera figura të rëndësishme.
Sipas një dokumenti të publikuar nga RTK-ja, 17 deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje dhe 15 krahu i të dorëhequrve nga kjo parti me në krye Visar Ymerin e Dardan Molliqajn.
Pritet që emri i partisë së re të jetë Social-Demokratët.
Kryetari i Komunës së Prishtinës renditet i pari në listën e të pakënaqurve.
Renditja është bazuar në votat e secilit që ka fituar në zgjedhjet e fundit.
I dyti renditet ish-sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj, i pasuar nga ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri.
Ndërkohë në listën tjetër, të atyre që do të qëndrojnë në Vetëvendosje, figuron emri i kryetarit aktual të VV-së, Albin Kurti, i ndjekur nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca.
Albulena Haxhiu, Rexhep Selmi, Smail e Sami Kurteshi e Adem Mikullovci janë vetëm disa nga deputetët që do t’i qëndrojnë besnikë kryetarit të rizgjedhur të VV-së, Albin Kurtit.