Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News 24”, ministri Fatmir Xhafaj u shpreh se pas disa ditësh do të zbulohet dhe emri i ri i drejtorit të Policisë së Shtetit.
Xhafaj deklaroi se për këtë çështje është konsultuar me njerëz që e njohin policinë, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Jemi duke bërë një proces. Kemi zgjedhur së pari brenda kandidaturave që plotësojnë kriteret. Janë bërë disa teste, janë marrë informacione, janë shkëmbyer mendime me njerëz që e njohin policinë, po kështu edhe me partnerët ndërkombëtare.
Besoj se shumë shpejt, punë ditësh, do të marr një vendim se cila do të jetë kandidatura që do t’i propozoj kryeministrit dhe qeverisë, pasi e miraton Këshilli i Ministrave.
Kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme. Do të ketë edhe lëvizje të tjera, për ristrukturimin e Policisë së Shtetit.
Do t’i jepet më shumë hapësirë strukturave vendore. Kam ngarkuar një grup pune, për strukturat vendore. Kemi bërë një studim, kemi pilotuar një projekt.
Kemi muaj që kemi punuar, që nga momenti i parë që unë kam ardhur aty. Vendimet se cilët do të jenë njerëzit do ta ketë drejtori i ri i përgjithshëm. Pjesa e drejtorëve të departamenteve më takon mua.
Do të jetë një strukturimin i plotë. Së bashku me vettingun do të ketë rezultatin që duan”, u shpreh Xhafaj.