Hakmarrja mbi bronxin

20 Shkurt 2018, 19:37Blog TEMA

Nga Pëllumb Kulla*

…Në fillim, shtatoren e lartë, zotërat e vendit e ngarkojnë me domethënie të shenjtë, me veneracion qiellor, me fuqi tërheqëse për ta soditur dhe me hijerëndësi frikëndjellëse.

E nuk janë veçse disa kuintalë bronx, që ca artistë i kanë dhënë formën e Zotit të fuqishëm në këtë pëllëmbë dheu,

Populli e pranon këtë simbolikë. E ai ia ngarkon këtij togu të bronxtë, të gjitha atributet që përfaqëson; e lidh me gjithë përgjegjësitë që, fshehur, ia ka vënë mbi kurriz me kohë; ripërtyp të gjitha ëndrrat për këtë ditë, kur e rrethon statujën, i ve litarin, e heq zvarrë, e përdhos, e pështyn…

E kjo gjasme historike bëhet një ditë e shënuar kombëtare, nga ato më të bukurat, e njohur si 20 shkurt 1991.
Kanalet televizive të botës e japin si lajm të parë këtë vullkan urrejtje që zbrazet mbi një statujë shtatë metra të gjatë.

Të gjithë e përshkruajnë këtë ditë kur pa asnjë pikë gjak përreth, u shfry hakmarrja mbi murtajën, mbi antikombëtarin, vrasësin e mijëra njerëzve të shquar të kombit, klerikëve, patriotëve, deri edhe shokëve të tij të idealit, rrënuesin e ekonomisë kombëtare, brejtësin e virtuteve të bukura, të edukuara që në lashtësitë shqiptare. Ishte dita e shpresës më të afërt, për liri, drejtësi, paqë dhe begati.

Qindra mijëra njerëz në tërë Shqipërinë e jashtë saj, shfrenë, brohoritën, kënduan, u çorrën. Ditë me radhë ata njerëz rropateshin të bashkëbisedonin të ngjirur, të lodhur e me një dritë të ngrohtë në sy. Ata , ishin brezi i vuajtur, i shtypur e i munduar që sapo kishin shijuar BASTIJËN e tyre, sulmin mbi PALLATIN E DIMRIT, ngjarje që vijnë ndoshta njëherë në mijëra vjet. 

Pak-kush e vrau mëndjen se pas Bastijës e marrjes së Pallatit të Dimrit, në Francë dhe Rusi, kishin pasuar vite të tjerë gjaku e vuajtjesh.

Ditët e triumfit popullor nuk kanë faj për këtë.

Ditët e shënuara qëndrojnë më vete. Fitoret që sjellin ato lidhen me të kaluarën. 

Ato nuk i ngarkon dot me përgjegjësinë e ditëve dhe viteve që vijnë pas tyre.

*Me shkurtime në “Luftë pa Fund”, Botimet UET fq 252

1 komente në “Hakmarrja mbi bronxin”

  1. h says:

    Kur shikoj berishen me familjen e tij mënxyrë në tv,
    ndjej të njëjtën revoltë dhe urrejtje ndaj të keqes
    siç kam ndjerë atê ditë të lavdishme për rininë përparimtare të tiranës.
    E kenja përsëritet,me forma të tjera por përsëritet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje