INTERVISTA/ Ish-komandanti i F. Detare: Privatizimi i Bisht Pallës, arsyeja e largimit tim dhe të Meçollarit. Dhe një emër i lakuar në atë kohë

1 Mars 2018, 17:24Politika TEMA

Debati i fundit për marrëveshjen e detit me Greqinë ka hapur një debat dhe për një prej negociatorëve, Artur Meçollari. Ndërkohë përfaqësues të opozitës po mbrojnë marrëveshjen e vitit 2009, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Lidhur me dinamikën e këtyre ngjarjeve, flet për ResPublica, ish-Komandanti i Forcës Detare, Kudret Çela. Ai sqaron edhe arsyet e largimit nga detyra në vitin 2012 edhe të z. Meçollari që sipas tij lidhen thjesht dhe vetëm me lakminë për pronat e ushtrisë.

ResPublica: Z. Çela kur jeni informuar për marrëveshjen e detit me Greqinë?

Në vitin 2009 u riktheva përsëri si komandant i Forcës Detare dhe u njoha për çështjen e marrëveshjes së detit pasi doli në media. Në aspektin professional shikoja që kishte shumë probleme. Këtë e kam diskutuar edhe me vartësit e mi, mes të cilëve ka qenë edhe z. Artur Meçollari, emri i të cilit sot po lakohet dhe diskutohet në media dhe nga politika.

ResPublica: Cilat ishin këto probleme?

Ishin problem profesionale, të metodikës, por edhe probleme që ishin përcaktuar jo drejt edhe në emërtimin e kësaj marrëveshjeje. Pra flitej për një çështje dhe përcaktoheshin tri të tjera në marrëveshje, çka është në mënyrë kategorike e jashtëligjshme. Në atë kohë kam dhënë mendimin që kjo marrëveshje mund të bëhet midis dy palëve nëse ato bien dakord. Në të kundërt mbetej rruga e gjykatave ndërkombëtare.

ResPublica: Cili ishte problemi konkret që keni referuar në rrugë zyrtare?

Problemi konkret nisi qëkur u shfuqizua ligji për kufirin. Një vit përpara qeveria ndryshoi ligjin në të cilin përcaktohej edhe vija bregdetare. E lanë këtë vend pa vijë bregdetare të përcaktuar ligjërisht. Kërkuam në atë kohë se për cilën arsye u ndërmorr kjo masë dhe se kush e kishte bërë propozimin, por nuk morëm asnjëherë përgjigje, as nga Ministria e Brendshme dhe as nga Ministria e Jashtme. U bë një fakt i kryer dhe vendi mbeti pa vijë bazë. Vija bazë është ajo mbi të cilën bëhen të githa matjet.

Problem tjetër konkret është vlera që iu dha Barketës si pjesë e tokës greke. Duke lënë një shkëmb që dallohet vetëm në ndryshimin baticë-zbaticë me vlerën e një toke kontinent. Këto ishin gabime që mandej reflektojnë edhe në ndryshimin e koordinatave që hidhen në hartë.

ResPublica: Ka patur nga ana e Forcës Detare një raport zyrtar rishikues apo rivlerësues për këtë marrëveshje?

Në korrik të viti 2011, me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, z. Sali Berisha, u ngri ngrit një grupe negociator përsëri për marrëveshjen e detit. Ky grup u mblodh disa herë, u kërkuan disa materiale. Unë i kam çuar një studim ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, z. Gazmend Turdiu, por duke qenë se unë u lirova shpejt, pas meje mori pjesë në një mbledhje tjetër, z. Meçollari. Ky grup nuk ka funksionuar më tej, për arsye që nuk i di sepse unë më 5 janar të vitit 2012 kam dorëzuar detyrën. Si duket nuk e panë të arsyeshme të mblidhen më dhe mbeti pezull nisma.

ResPublica: Lidhur me krijimin e këtij grupi, keni dijeni nëse pala greke kishte rënë dakord për rinegociimin e marrëveshjes së rrëzuar, apo ishte më shumë një mbledhje mendimesh?

Ishte një urdhër i kryeministrit. Ne nuk kishim informacione pse u krijua grupi, pasi kjo ishte pjesë e politikës dhe nuk na u tha nëse kishte ndonjë dakordësi paraprake për ndonjë problem apo ndonjë tjetër.

ResPublica: Ju keni referuar vërejtjet tuaja për marrëveshjen e parë?

Për marrëveshjen e parë ne kemi dërguar një material studimor që është 140 faqe ku ishin problematikat, dokumentet e shtetit shqiptar si dhe referenca të konventave ndërkombvëtare që argumentonin shkeljet e bëra me marrëveshjen e parë. Mu kërkua të bëja një paraqitje të studimit(briefing) para Grupit Negociator, por për shkak se u largova, detyrën ia ngarkova zëvendësit tim, Artur Meçollari.

ResPublica: Cila është sipas jush shkelja kryesore që është bërë nga negociatorët e marrëveshjes së parë? Ose cila është zanafilla e gabimit për atë marrëveshje?

Pa u marrë me anën teknike të çështjes, unë mund të them që shfuqizimi i ligjit për kufirin dhe për rrjedhojë edhe i vijës bazë – në vitin 2008 – përbën problemin fillestar të kësaj marrvëshjeje. Që ta kuptojnë të gjithë, pa vijën bazë, matjet në gjiun e Sarandës do të nisnin nga vija e ujit në hotel “Butrinti” dhe jo në mbyllje të tij.

ResPublica: Ku mbyllet gjiu i Sarandës?

Gjiu i Sarandës mbyllet që nga baza detare në gjiun Limjonit dhe deri në pjesë përballë Barketës. Këtu duhet theksuar një karakteristikë që ka rëndësi e që lidhet me bregun grek. Përballë gjiut të Sarandës kemi gjiun e Korfuzit. Pala greke nuk ka ligj që sanksionon vijën bazë, por bën matje përmes konfiguracionit të bregdetit të vet. Ndërkohë në marrëveshjen e vitit 2009, u përdor vija bazë për matje.

ResPublica: Në bazë të kujt ligji?

Të asnjë ligji. Ky është një nga defektet e ekipit tonë negociator. Nëse do të zbatohej vetë ligji i shtetit grek, ne do të ishim futur më thellë në hapësirë. Pra ka patur një negociatë shumë të pabarabartë edhe në metodikë.

Edhe për ishujt në veri të Korfuzit u është dhënë vlera e njëjtë me kontinentin dhe ka dhënë edhe ajo efektin e vet. Ne ndajmë 12 milje nisur nga vija bazë na vjen që nga Gjiu i Gramës në jug të Karabururnit. Më në jug distanca është me ngushtë dhe nuk mund të bëhet ndarja e detiti territorial me 12 milje.

ResPublica: Çfarë informacioni keni për marrëveshjen e re që po negociohet aktualisht?

Unë mendoj se ajo është nisur me këmbën e mbarë, për vetë faktin se ne kemi një bazë ligjore  që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grupi i ri negociator është i detyruar të zbatojë të gjitha pikat e vendosura nga Gjykata, sepse ato janë vija e kuqe. Ky është avantazh i madh edhe për faktin se kemi të bëjmë me një mësim që nxorëm nga përvoja e parë.

E dyta, unë mendoj se edhe personeli që është përzgjedhur ka integritet. Dhe këtu flas edhe për z. Meçollari që është një ndër specialistët më të mirë të Forcës Detare. Jam i bindur se në të gjitha rethanat ai do të tregojë aftësitë e tij profesionale. Po ashtu edhe z. Arsen Mullai, shef i Shtabit të Forcës Detare që është pjesë e grupit.

ResPublica: Për z. Meçollari ka akuza të rënda së fundmi nga politika. Flitet madje edhe për materiale kompromentuese në dosjen e tij. Keni ju dijeni dhe cili është mendimi juaj për këo akuza?

Këto mua më duken alibi ose një trillim që bëhet. Nuk mbahen gjëra të tilla në dosje personeli. Po të ketë probleme të tilla ka një drejtori tjetër që mban dokumentacionin përkatës.

E dyta, vetë termi që përdor ish-presidenti dhe ish-kryeministri, pra termi “Spiun”, mua më duket një term i vjetëruar i një sistemi tjetër që tregon edhe një mentalitet të caktuar. Më kujtohet filmi shqiptar “Lulëkuqe mbi mure”, “spiun…spiun” – në atë kohë. Tani I bie të jetë “Myshku mbi mur”. Këtu ka edhe një çështje ligjore, pasi titullimi si “Spiun” përbën akuzë të rëndë dhe tjetri ka të drejtën e padisë  pasi cenohet integriteti.

ResPublica: Cila është arsyeja e vërtetë e largimit tuaj, por edhe e z. Meçollari nga detyra? Flas për arsyen e vërtetë, jo motivacionin zyrtar…

Largimi im nga detyra ka nisur që në vitin 2010. Ju e dini që pushtetarët tanë kanë një interes të veçantë për pronat. Këtu është interesi I vërtetë i tyre, kështu nisi një betejë mes mej dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami në lidhje me disa prona të Forcës Detare, që janë të lakmueshme sepse janë në bregdet.

E nisën me Shkollën e Marinës në Vlorë dhe sipas Planit të Përhapjes që paraqiste Shtabi i Përgjithshëm Shkolla zhvendosej në Pashaliman, pa marrë asnjë lloj mendimi. Kam ndërhyrë dhe i kam thënë ministrit për këtë çështje. Ministri Imami kishte vetëm 3-4 muaj që kishte ardhur dhe i irrituar për këtë padrejtësi që po bëhej më tha:

Sa të jem unë ministër Mbrojtjeje Shkolla e Marinës do qëndrojë aty ku është. Kur të vijë një ministër nga Burreli ta çojë në Burgajet

Unë me thënë të drejtën u qetësova.  Pas një muaji, kur Plani i Përhapjes u çua te Presidenti, më thonë që nuk është bërë asnjë ndryshim. Pra shkolla zhvendosej.

Në vitin 2010 më njoftojnë që do bëhet analiza vjetore dhe do bëhej në Bishtpallë dhe do vinte vetë ministri. Bëhet fjalë për muajin dhjetor. Mora masat kur mora vesh se bashkë me ministrin do të vinin Shefi i Shtabit , drejtoresha e Kabinetit dhe një staf i gjerë i Ministrisë. Kjo ishte e çuditshme për faktin se në analizën e Forcës Detare merrte pjesë gjithë ministria. Aty, disa prej të pranishmëve këmbëngulën që të paraqisnin edhe strukturën e Forcës Detare. U thashë se me ligj prezantimi i strukturës i takon komandanti të Forcës. Pas këmbënguljes së tyre u kërkova që të përcillnin çdo sugjerim . Çështja qëndronte në faktin se baza synohej të nxirrej nga Plani i Përhapjes. Në bazë të informacioneve të pakonfirmuara që unë kisha, pra jo zyrtare, isha vënë në dijeni se kishte një përpjekje për ta mbyllur bazën, për ta kaluar në privatizim.

ResPublica: Përflitej ndonjë emër konkret?

Mua më është lakuar emri i Jamarbër Malltezit, në kuptimin që ky i fundit ishte në dijeni, por fjala ishte që do të vinte një kompani që do të bënte investim në masën 60 milionë dollarë. Nuk llogaritej që aty ishin 180 ushtarakë që punonin. Plani ishte që këta të çoheshin në Pashaliman. Unë u kam ngritur problemin se shteti shqiptar ka detyrime që rrjedhin nga konventat që ka ratifikuar e që kanë të bëjnë me sigurinë në hapësirën detare që dispozon. Nëse ne do të çonim të gjitha mjetet dhe forcat në Pashaliman, do të ishte e pamundur për të dhënë ndihmë për çdo incident detare që mund të ndodhë. Është distancë jo e vogël dhe ne nuk kemi mjete operacionale të tilla që të japim ndihmë.

Unë kisha planëzuar që në bazat e Bishtpallës dhe të Shëngjinit të rrinin mjetet e emergjencës për të dhënë këtë kontribut dhe të ruhej standardi i sigurisë. Aq më tepër kur zona e Durrësit është zona e trafikut më të madh detar sepse është porti kryesor i vendit. Kjo zonë mbetej e pambrojtur.

ResPublica: Pse u pezullua ky Plan?

U pezullua sepse në kohën që unë u shkëputa nga detyra, pasi kisha bërë disa herë debate për këtë çështje, mbeti në detyrë z. Meçollari. Ai ka vazhduar në detyrën e Komandantit nga data 6 janr deri më 23 janar 2012. Atij i kishin bërë shumë presion, madje e kishte thirrur njëherë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili së funmdi dha edhe një intervistë, i cili i dha vërejtje për shkak se nuk kishte dorëzuar materialin që u duhej.

Z. Meçollari më kërkoi ndihmë sepse kishte presion të madh. Unë i sugjerova që të gjithë strukturën që ai propozonte ta firmosnin edhe komandanët e të gjitha reparteve dhe nga Shtabi i Forcës mandej t’ia dorëzonte Shtabit të Përgjithshëm në mënyrë që të përfaqësohej më i mbrojtur. Ai veproi kështu dhe dorëzoi dokumentin. Meqenëse kundërshtoi edhe atë e shkarkuan nga detyra dhe e çuan në një detyrë tjetër. Kjo është arsyeja dhe nuk ka tjetër mendoj unë.

ResPublica: Pse ndaloi privatizimi i bazës?

Komandanti i ri i Forcës Detare u emërua mënyrë të jashtëligjshme nga ministri I Mbrojtjes dhe u shkarkua pas katër ose pesë muajsh. Nuk pati më kompetencë dhe kohë…

ResPublica: Një pyetje e fundit: Pas Greqisë, Shqipërisë i mbetet ndarja e hapësirës detare me Malin e Zi. Ka patur ndonjë nismë në këtë drejtim?

Bisedimet me Malin e Zi u nisën njeherë në vitin 2010, por nuk u avancua më tej, sepse do të bëheshin në fillim diskutime në nivel politik. U bisedua me një delegacion gjatë një vizite në Mal të Zi, nuk pati asnjë lloj pretendimi. Mendoj gjithësesi se me Malin e Zi do të jetë më e thjeshtë.

8 komente në “INTERVISTA/ Ish-komandanti i F. Detare: Privatizimi i Bisht Pallës, arsyeja e largimit tim dhe të Meçollarit. Dhe një emër i lakuar në atë kohë”

  1. Bushi says:

    Ah Berish,Berish,ç’i ke punuar ketij vendi dhe ketyre njerzeve patriot!!! Ke shume gjynahe.Edhe Arben Imami,qe u rrah,u diskreditua nga Berisha,ka gjynahe te medha,jo vetem qe u fut si qen i rrahur ne shalet e Sali Berishes,por beri katrahuren e madhe me demontimin e armatimit,sa qe minister i mbrojtjes.Imami ka futur miljarda euro ne xhepin e tij nga ky demontim i armeve kolosale qe kishte mbushur shqiperine ENVER HOXHA,por edhe ne xhepin e Sali Berishes.Arben Imami,jo vetem per keto qe denoncojne komandantet e mirenjohur,poredhe per korrupsionin e madh qe ka bere ai ne demontimin e armatimit.Ai duhet thirrur ne prokorori patjeter.

  2. mirel says:

    Jam dakort ne parim me vleresimin e Kudrer Celes per rivendosjen e kufirit.
    Por problemi qendron ne faktin se ne shtet ka nisur furtuna e Arta Markut neper stacione policie. Akuzohen e shkarkohen 10tra te tille e te atille, dhe asnjehere shteti shqiptar i pas 2013es nuk e ngriti akuzen zyrtare per tradheti kombetare kunder Berishes, Bashes, dge kedo qe eshte perfshire ne aferat e shitjes se detit.
    Per kete Edi Rama duhet te mbaje pergjegjesi.
    Boll u jargavitet ne Parlament duke e bere Berishen nga kriminel ne klloun.
    Vete Edi Rama i ka anashkaluar denimit te Berishes.
    Vete ka dhene interviste ne BBC ku e ka paraqitur si te cmendur te pavlere.
    Gjykimi i Berishes dhe Company nuk ka vleren e denimit te njeriut qe permbledh lekura e Berishes, ai ka vleren e denimit te krimit qe perfshin perdoni ne pushtet Berisha.
    Mos denimi i krimit eshte baraz me mosnjohje te krimit. Dhe kjo rendon mbi Shtetin e Rames.
    Duke filluar qe me faktin skandaloz qe shteti shqiptar ka 10 vjet pa kufij detare, kjo e ben edhe me te cuditeshem faktin qe Berisha eshte ende nje person i lire.

  3. Grameno says:

    Gjithmon kam thene,Qdo kush qe ka problem me Berishen,ai duhet ngritur,Berisha kurrrre nuk te sulmon pa pas interese personal e familj.per probleme te popullit apo ligjeve,apo ndonje veprim ku atije nuk i leverdiset,ai eshte shum i qete,Por kur e preke ne seder,ai te sulmon ne menyren me shtazarake qe mundet,Dhe e kam degju ne nje debat ket Ushtarak,kso njerz ka nevoje Shqiperia,ishte shum kompetente,i profesionalizuar,dhe ishte njeri me integritet dhe Moral.Saliu, eshte interesant qe deri me sot eshte gjalle dhe frymon.ka qen dasht qe deri me sot ketij njeriu te iu ishin kalbur edhe kockat.

  4. Lala says:

    Shqiperine e mori …..Sala
    I vu zjarre
    shqipetar mos rri po duku
    shqipetare.!!!???

  5. Studenti says:

    Kush e shuan nje kuriozitet qe kam:
    Baza e Shengjinit, a eshte ma ne planin e perhapjes se FD?
    Kur kalon per te shkuar tek “Rana e Hedhur”, rruga kalon mes per mes kesaj Baze. Vetem nje flamur kombetar, diku ne nje shtize prane nje objekti simbolik, te jep pershtypjen se aty ka qene dikur nje objekt ushtarak.
    Mos valle edhe kjo Baze është hequr nga Plani i Perhapjes , me qellim qe te privatizohet me pas nga te babeziturit per prona dhe per para?
    Apo per te bere rrugen per tek hoteli tek “Rana e Hedhur”?

  6. mirel says:

    Problemi me i madh eshte fakti qe pse qeveria e Ramex e ka lene Shqiperine pa vijen kufitare te 2008es.
    Perse nuk e rivendosi me ligj sic ishte ne 2008en.
    Ne keto kushte do diskutonte apo jo ndarjen e detit nuk i dihej.
    Mosqenia e vijes kufitare me ligj deri sot eshte veprim kategorik kriminal.
    A mund te sqaroje Kushtetuta perse qeveria Rama nuk ka rivendosur vijen kufitare te 2008es.
    Perse nuk eshte bere kjo e para, pastaj te shqyrtoheshin faktet per ndarjen me Greqine.
    Ketu po dalin probleme dhe me renda se thjesht mareveshja e Berishes.
    Ketu kemi te bejme me nje vijueshmeri te falimentimit te shtetit per sa i perket vijes territoriale.
    Nuk ka ku te shkoje me keq..

  7. Roberto says:

    Po jane fakte te pakundershtushme edhe keto poshtersi te Sali Berishes i cili perdorte fuqine e tij sunduese edhe mbi ministrat te cilet edhe ata jane te perlyer ne llumin e korrupsionit dhe tradhetise se interesave kombetare. Burgu dhe konfiskimi i pasurive eshte me e pakta se po te ishte Enveri gjalle plumbin e kishin hak ballit.

  8. Timo says:

    Zoti Rama duhet me se fundi te filloje te veproje si perfaqesuesi me i larte ekzekutiv i Shqiperise, si Kryeminister i saj. Nese nuk e ka ndjekur intervisten e zotit Elez Biberaj i rekomandoj t’i degjoje me vemendje mendimet dhe konsideratat e ketij personaliteti qe e njeh politiken dhe gjendjen e Shqiperise ne themel. Pa shume fjale dhe pa “keshilla” zoti Biberaj artikuloj se cfare duhet te ndodhe menjehere ne Shqiperi, duke filluar nga largimi i Berishes nga politika shqiptare dhe futja ne pune me kapacitet dhe kompetence te plote te Qeverise shqiptare me “numurat” qe fitoj ne zgjedhjet e fundit parlamentare. Nuk qendron me asnje justifikim se kemi “pushtet te ndare-te pjeseshem” me hajdutet e Ilir Metes. Une besoj se zoti Rama ka vetem dy opsione , ose t’u tregoje grushtin e hekurt te shtetit (ligjit) te gjithe atyre qe e kane sjelle ne kete derexhe ketej popull te mjeruar , te ashtuquajturit politikane (hajdute) , ose te dale e te deklaroje si burre se ose nuk e ben dot kete pune megjithe perkrahjen e pamate te SHBA dhe BE, ose eshte edhe vete i zene ne “cark” e s’mund te levize sa e si do. Enough is enough !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje