Komisioni i Medias është përfshirë në debate të ashpra, për përplasjen e tre ditëve më parë mes Sali Berishës dhe Artan Hoxhës, në një emision.
Deputeti socialist Ilir Beqaj, ka kërkuar që ndaj Sali Berishës të mbahet qendrim, pasi ka kërcënuar gazetarin Artan Hoxha.
Por kërkesa e Beqajt ka sjellë reagimin e ashpër të kryetares së Komisionit, Albana Vokshi.
Ajo ka marrë në mbrojtje Sali Berishën, duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk ka kërcënuar askënd.
Vokshi tha se në vend se të merren me Berishën, duhet të shoqin Ramën që i thotë medias “kazan”.
“Shashkat hidhi në parti, te godina përballë.
Askush nuk ka kërcënuar askënd, lëri zhurmat se kemi çështje të rëndësishme për të diskutuar.
Ju i quani mediat pjesë të kazanit.
Kryministri i kërcënoi të gjithë gazetarët live dhe nuk keni moral të flisni për këtë çështje”, tha Vokshi, që na kujtoi motrën e saj, Vjollcën, e cila vite më parë mbronte me po kaq pasion dhe zell, Sali Berishën
Në mbrojtje të Berishës ka dalë edhe Luçiano Boçi, sipas të cilit, Berisha është denoncuesi më i madh i skandaleve në vend dhe duan ta censurojnë.
Replikat
Ilir Beqaj: Sali Berisha tre ditë më parë ka kërcënuar një gazetar. Ai kërcënoi në studion televizive Artan Hoxhën dhe për këtë duhet mbajtur qëndrim.
Albana Vokshi: Nëse jeni për kërcënime hajde firmosni deklaratën e s’keni pranuar. Shkoni te kryeministri që i konsideron gazetarët si media të kazanit.
Luçiano Boçi: Ka pasur një debat televiziv dhe nuk ka pasur kërcënim. Duhet të merrje pjesë te seanca dëgjimore kur gazetarin e kërcënuan pse zbuloi trafikun e drogës në Gjirokastër.
Duhet të ishe këtu shumë i shqetësuar kur kryeministri kërcënoi gazetarët në Parlament. Mos bëni sikur e doni kaq shumë gazetarin. Një debat televiziv nuk mund ta shndërrosh në një kauzë për gazetarët.
(TemA)